Moti i keq/ Policia në krye të detyrës, në gatishmëri edhe disa grupe të FNSH-së Shkodër, Tiranë e Fier

Policia ka shtuar masat në rrugë, nisur nga situata e motit të keq në të gjithë vendin. Punonjësit e Policisë Rrugore në shërbim, po monitorojnë situatën dhe trafikun në akset rrugore të Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Fierit e Shkodrës, ku prania e reshjeve është më intensive.

Mjetet e shërbimit të Policisë Rrugore do të jenë në lëvizje të vazhdueshme dhe në raste të veçanta do të përdorin edhe mjetet e sinjalizimit shtesë, gjatë patrullimit në të gjitha akset rrugore, duke u tërhequr vëmendjen përdoruesve të rrugës, të zbatojnë normat e sjelljes në rrugë.

Gjithashtu po bashkëpunohet me entet pronare të rrugës dhe nënkontraktorët për vënien në gatishmëri të mjeteve për mirëmbajtjen e rrugëve dhe dhënien e ndihmës në rrugë.
Në ndihmë të Policisë Rrugore në akset ku ka më shumë prezencë të reshjeve, janë edhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policive përkatëse.

Në gatishmëri në rast nevoje janë edhe disa grupe të FNSH-së Shkodër, Tiranë e Fier.