NJË GROSSE KOALITION I SFORCUAR

Tashmë po duket qartë se Grosse Koalitioni i ri në Gjermani është shumë i sforcuar në krahasim me atë të vitit 2014. Megjithëse po bëhen 5 muaj nga 24 shtatori i zgjedhjeve dhe Merkel po përdor të gjitha mënyrat, ai akoma po merr rrugë.

Vështirësitë e këtij koalicioni të ri vijnë nga krahu i majtë i SPD-së, Partisë Socialdemokrate Gjermane. Aktualisht SPD po kalon një krizë të rëndë dhe lideri i saj Shulz demonstroi se nuk kishte karizmën e duhur për ta mbajtur të bashkuar partinë.

Merkel i ka bërë shumë koncesione programore si në politikat sociale ashtu edhe në rritjen e investimeve të brendshme, biles për herë të parë që kur CDU është në pushtet ajo ia dha SPD-në dhe Ministrin e Financave vetëm që Shulz të arrinte të bindte partinë e tij për Grosse Koalition.

Në fakt, Merkel ka qenë e detyruar për lëshime pasi nëse nuk arrihet Grosse Koalitioni, atëherë nuk ka alternativë tjetër përveç zgjedhjeve dhe kjo do të thotë që karriera e Merkel merr fund, pasi ajo nuk mund të drejtojë përsëri fushatën elektorale në këto kushte.

Por me gjithë këto përpjekje, duket se kriza e SPD-së është jashtëzakonisht e thellë.

Në fakt, Shulz e mori SPD-në vetëm në janar të 2017-s dhe udhëhoqi një fushatë elektorale ku u shfaq si një lider pa karizmë dhe aspak bindës në alternativën e tij. Shulz, një politikan që kishte mbi 24 vjet që rrinte në Parlamentin Evropian dhe që ka qenë larg luftës politike në Bundestag, e udhëhoqi SPD-në në humbjen më katastrofike të historisë së partisë së majtë më të vjetër evropiane, krijuar në 1863, që ka patur 7 Kancelarë, duke e zbritur në shifrat e trishtueshme të 20%.

Kur të gjithë prisnin që mbas kësaj batoste Shulz të jepte dorëheqjen, sipas gjithë traditës evropiane, ai deklaroi se SPD nuk do të kthehej kurrë në Grosskuaolition dhe do të kalonte në opozitë, ku do të reformohej dhe ai do të përgatiste një alternativë të re.

Por më vonë, nën presionin edhe të Presidentin socialdemokrat Steinmajer, por edhe të shumë përfaqësuesve të elitës politike financiare të vendit, ai ndryshoi qëndrim. Por kjo kishte një kosto të madhe në radhët e partisë së tij.

Për shumicën e bazës se partisë Shulz u tranformua në një person që me gjithë humbjen më të madhe të partisë, tashmë po synonte poltronin e Ministrit të Jashtëm dhe Zv/Kancelarit, duke shpëtuar karrierën e tij politike, por duke e shndërruar SPD-në në një parti pa identitetin e saj të vlerave të majta dhe duke u kthyer në një shtojcë të Merkel.

Shulz arriti të kalojë me shumë vështirësi votimin për Grosse Koalition në Kongresin e partisë në janar, por ai bëri një gabim, që përjashtoi nga lista e kabinetit të ri Ministrin aktual të Jashtëm Gabriel. Gabriel ka qenë për 4 vjet kryetari i partisë dhe ka një influencë të madhe në bazën e saj, sidomos tek të rinjtë. Ai, duke shfrytëzuar kundërshtimin e fortë të JUSOS, organizata e të rinjve socialdemokratë, arriti të ngrejë një forcë të madhe kundërshtuese, duke kërkuar që Grosse Kualicioni të votohet në një referendum nga 460 000 anëtarët e SPD-së. Për të shmangur rrezikun e dështimit Shulz u detyrua të dorëhiqet nga posti i Ministrit të Jashtëm të afruar nga Merkel, por edhe kjo nuk jep garanci që referendumi i 2 marsit mund të hapë driten jeshije për GroKo.

Në fakt, karriera e Shulz tashmë po shkon drejt perëndimit dhe në fakt në sondazhin e fundit të Bild, 72% e gjermanëve mendonin se Shulz do të ishte një Ministër i Jashtëm i paaftë.

Duke parë se situata po precipiton dhe votimi brenda partisë mund ta rrëzojë Grosse Koalitionin, Shulzi dje dha dorëheqjen nga kryetari SPD-së, duke e zhytur akoma më thellë në krizë dhe komplikuar tashmë gjithë kuadrin politik gjerman.

Por dalja e Shulz nga skena dobëson automatikisht edhe Merkel, pasi në një Grosse Koalition ku SPD tashmë e shpartalluar (sondazhet e djeshme e jepnin në kuota katastrofike të 16%, vetëm 3% më larg se AfD) është pa kryetar, tashmë është praktikisht një kpalicion mjaft i dobët dhe me risk shumë të madh.

Sidoqoftë rreziku tashmë vjen nga referendiumi i 2 marsit, ku sido që të shkojë, do të dalë një SPD e përçarë, ku edhe nëse kalon, miratimi mund të ketë ndarje të deputetëve në Bundestag. Problemi më i madh është kundërshtimi shumë i fortë i të rinjve të SPD -JUSOS, sidomos për politikën ndaj emigrantëve të Merkel të pranuar nga Shulz që ishte dhe një nga shkaqet e largimit të tij.

Pra ky Grosse Koalition që po lind me shumë vështirësi dhe shumë i sforcuar edhe gjermanëve ka filluar të mos iu pëlqejë më si më parë. Shumica mendon se më mirë do të jetë një kalim i ri zgjedhor, sesa një qeverisje me probleme. Stabiliteti politik ka qenë një nga pikat më të forta të Gjermanisëm që ka udhëhequr edhe gjithë Bashkimin Evropian.

Por ka edhe një problem tjetër.

Në 4-vjecarin e parë praktikisht nuk kishte opozitë, me përjashtim të ekstremit të majtë Die Linke, kurse tashmë ka një veçori jo pak të rëndësishme. Partia e tretë e Bundestagut me 93 deputetë është AfD (Alternative fur Deutschland), ekstremi i djathtë gjerman, që shkakton aq frikë në Evropë për shkak te historisë, që tashmë merr zyrtarisht rolin e opozitës në Gjermani. Kjo do të thotë se ajo ka të drejtën e replikimit të çdo fjalimi të Kancelares në Bundestag, mund të iniciojë komisione parlamentare hetimore, ka kohën më të gjatë për debate, ka të drejtën e drejtimit të komisioneve të rëndësishme parlamentare. Pra mund të zhvillojë një opozitë intrasigjente që do të krijojë shumë probleme në politikën gjermane, por që mund të çojë edhe në rritjen e saj të mëtejshme. Asnjë e djathtë ekstreme në Evropë nuk mund të ketë një zë të kaq të fuqishëm, siç mund të ndodhë tashmë në Gjermani, pikërisht në vendin më të madh dhe më të fuqishëm të Evropës.

Biles vetë Shulz deklaroi pas humbjes se një nga arsyet pse SPD do të kalonte në opozitë ishte dhe që të mos lejonte AfD të jetë opozita zyrtare e Gjermanisë pasi ky do të ishte një turp për Gjermaninë. Por Shulz harroi të jepte dorëheqjen menjëhërë mbas humbjes, por tani që e detyruan, e harroi edhe këtë.

Por ky nuk është një problem i vogël në politikën gjermane.

Ndërkohë që dy partitë më të mëdha gjermane nuk mund të replikojnë njëra me tjetrën, pasi kanë ndarë pushtetin bashkë, dhe kuptohet që kjo nuk është normale. Që për tetë vjet opozita dhe mazhoranca të qeverisin bashkë, pasi votuesit nuk i kanë dhënë asnjërës mazhorancën, kjo është një anomali e paparë ndonjeherë në demokracitë evropiane.

Por edhe kjo është me pak sesa të mbesin pa qeveri për nje kohë të gjatë.

Por një gjë tashmë është e qartë, që ky sistem elektoral gjerman nuk garanton më stabilitet qeverisës normal. Ky sistem proporcional funksionoi për gati 70 vjet pas luftës pasi partitë kryesore ishin rreth 40% të elektoratit dhe me një nga partitë e tjera të vogla, me liberalët ose të gjelbërtit, që kanë qenë rreth 10%, garantohej qeverisja. Tashmë kur dy partitë kryesore tradicionale janë në rangun e 30-32% CDU-CSU dhe SPD kanë zbritur në shifra të trishtueshme të rreth 20%, stabiliteti qeverisës nuk është më i garantuar.

Kështu që ajo që ka nevojë urgjente Gjermania është ndryshimi i sistemit elektoral, duke e përafruar me atë që ka Franca dhe Anglia, që asnjëherë nuk kanë patur krizë qeverisëse për shkak të sistemit elektoral dhe nuk kanë aplikuar asnjëherë qeveri të përbashkëta.

Kjo është imperative jo vetëm për Gjermaninë, por është për gjithë Evropën e Bashkuar, pasi çdo bllokim i qeverisjes në Gjermani bllokon automatikisht tashmë edhe gjithë vendimmarjen e Brukselit. Dhe në këto kohë të vështita me një situatë ndërkombëtare mjaft të rrezikshme nuk mund të lejojnë një komplikacion të tillë. Gjermania gjithmonë ka zgjidhur situata të brendshme shumë më të komplikuara dhe pa dyshim një sistem elektoral adekuat që të garantojë qeverisje stabël, nuk hyn tek detyrat shumë të vështira.