Patozi-Bashës: Pritja nuk të sjell në pushtet!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, është i bindur se opozita e sotme nuk mund të fitojë nëse kryetari i saj nuk ndryshon mënyrën e drejtimit. Në studion e “ABC News”, ish deputeti demokrat është shprehur se ka edhe pika që bashkojnë me Partinë Demokratike, një prej të cilave është qëndrimi ndaj Reformës në Drejtësi.

Vazhdon të jetë kritik ndaj kryetarit të Partisë Demokratike. Pritshmëritë se opozita e sotme mund të përmbysë qeverinë, i ka zero. Patozi i kujton Lulzim Bashës se pritja nuk të sjell në pushtet.

“Opozitës i mungojnë kauzat e vërteta për të sjellë ndryshimin e madh, mjafton edhe ta krahasosh me opozitat kur drejtoheshin nga Sali Berisha dhe Edi Rama”, tha Patozi.

Por ka edhe pika që e bashkojnë me Partinë Demokratike. Një prej tyre është dyshimi se drejtësia e re do të jetë selektive.

Nuk dëshiron të krijohen fraksione, por Astrit Patozi nuk mund të garantojë se do të presin përjetësisht përgjigjen e Lulzim Bashës për platformën që ka në tryezë për ringritjen e Partisë Demokratike. /abcnews.al