Pavlopulos e bëri të zezën të bardhë: grekët trajtuan çamët si hebrenjtë

Përse presidenti grek Prokopis Pavlopulos i është drejtuar me fjalë kërcënuese Shqipërisë pikërisht në një moment kur marrëdhëniet shqiptaro-greke po njohin një moment relaksimi. Kjo nuk është hera e parë që presidenti Pavlopulos ka pasur divergjenca me Ministrinë e Jashtme. Është i ditur reagimi i tij kërcënues ndaj Shqipërisë disa muaj më parë kur kërkoi respektim të të drejtave të minoriteteve. Por një pikëpyetje e rëndësishme ngrihet në kontekstin e zhvillimeve më të fundit të raporteve fqinjësore mes dy vendeve, pikëpyetje së cilës mund t’i përgjigjesh duke lexuar në disa shtresa profilin politik të presidentit grek:

A është ky reagim i presidentit Pavlopulos një qëndrim i koordinuar me institucionet e tjera greke apo një dalje e pallogaritur nga dikush që sipas kushtetutës greke ka vetëm kompetenca cerimoniale?

Së pari, qëndrimi i fundit i Pavlopulos reflekton përkatësine e tij politike. Pavlopulos vjen nga rradhet e “Nea Demokracia” e cila ka të njëjtin qëndrim përjashtues ndaj shqiptarëve. Në dallim nga e majta e Tsipras e cila ka prejardhjen nga partizanët e Luftës së Dytë Botërore, të cilët kanë pasur një marrëdhënie të mirë me komunistët shqiptarë. Jo vetëm Syriza, por tradicionalisht e majta në Greqi përfshi dhe partinë socialiste, PASOK.

Së dyti, Pavlopulos zgjodhi të dilte pikërisht ditën kur sheshi kryesor i kryeqytetit grek u mbush nga njerëz të cilët opozita i thirri për të bërë një lloj testi të popullaritetet të vet. Do duhet imagjinuar se prapa asaj proteste shfaqet edhe një lloj frustrimi që grekët ndjejnë nga gjëndja e vështirë ekonomike, gjatë dhe pas krizës.

Së treti, Presidenti grek ka dashur të rezonojë pjesën dominante të opinionit publik grek, që ruan një qasje përjashtuese ndaj shqiptarëve si dhe të një klase të vjetër politikanësh aktivë, kryesisht të djathtë, që janë radikalë në qëndrimet e tyre.

Si rrjedhojë e këtyre arsyeve, dalja e tij mund të ketë qenë e llogaritur për të qetësuar dhe vendosur një lloj ekuilibri për atë që mund të quhet si një lloj ndjenje triumfalizmi që ka karakterizuar institucionet shqiptare. Një lloj mesazhi për të frenuar politikën shqiptare në artikulimet që përcjell tek opinionit publik.

Por Pavlopulos bën një autogol të madh kur thotë se nuk mund të flitet për çamët në ditën e holokaustit. Përgjigjien më të mirë për presidentin Pavlopulos e jep një historian grek me gjasë me origjinë çame-ortodokse, Jorgos Margaritis, i cili ka shkruar një libër Çamët dhe hebrenjtë patriotët e padëshiruar ku tregon se qoftë çamët myslymanë dhe hebrenjtë janë larguar nga Greqia si pasojë e spastrimit etnik që ka bërë Greqia gjatë Luftës së Dytë Botërore në mënyrë të njëanshme apo duke bashkëpunuar me gjermanët. Ky autor grek vendos shenja barazimi në shtysën kryesore që ka nxitur largimin e këtyre dy komuniteteve të mëdha nga Greqia. Hebrenjtë kanë jetuar bashkë me shqiptarët në Janinë, por kryesisht në Selanik, i cili ka qenë ndër qytetet më të mëdha të populluar nga hebrenjtë në atë kohë. Në fund të luftës së Dytë Botërore Selaniku ishte një nga qytetet ku popullsia hebrehe ishte thuajse e asgjësuar. Ndaj dhe “ndjeshmëria” e z. Pavlopulos në lidhje me këtë pjesë të historisë është krejt e pavend. Veçanërisht kur ai është presidenti i një vendi që nuk ka pranuar të bashkëpunoj me organizmin amerikanë pëgjegjës për restaurimin e pasurisë kulturore hebrehe në bote që përpiqet të restaurojë pronat dhe varrezat e komuniteteve hebrehe të shpërndarë në botë. Në këtë kuptim ajo që tha presidenti Pavlopulos është një autogol i madh që vërtetohet nga historianët grekë. Pavlopulos bëri një krahasim të gabuar që për fat të keq as organizata “Çamëria” dhe as PDIU nuk e përmendi në reagimin e tyre. Faktin që midis çamëve myslimanë dhe hebrenjëve ka një moment të përbashkët keqtrajtimi si pasojë e qasjes ekstremiste dhe përjashtuese në Greqi.