Përfaqësuesi i Brexit, mjeshtër i premtimeve boshe

Boris Johnson është njëri nga përfaqësuesit më të shquar të Brexitit. Por pas grindjes së pafundme në qeverinë britanike premtimet e tij tingëllojnë vetëm bosh dhe optimizmi i tij pa bazë, mendon Barbara Wesel.

Ai kalon dorën në flokët e tij të shpupurisur, citon tabela antike me ligje të Hamurabit dhe përmend mendimtarin John Stewart Mill. Por ndërkohë njihen truket e vogla retorike të Boris Johnsonit: ai bën gjeste madhështore, për të fshehur boshësinë intelektuale dhe mospërfilljen e plotë të fakteve.

Ministri i Jashtëm konsiderohet si njëri nga përfaqësuesit më të shquar të Brexitit, por sa më shumë afrohet largimi nga BE, aq më të fortë bëhen kundërshtarët e tij. Tani Boris Johnsoni lufton për trashëgiminë e tij politike dhe për të ardhmen e tij.

Johnson premton male të praruara

Ai i kupton frikërat e skeptikëve nga pasojat e Brexitit, betohet Boris Johnson. Për t’i fshirë ato me një të rënë të dorës nga tryeza në momentin pasues. Britania e Madhe nuk do të bëhej as ishullore, as më pak e rëndësishme nga pikëpamja strategjike me largimin nga BE. Dhe menjëherë pas kësaj ai pohon me guxim se tregtia me BE nuk është kaq e rëndësishme për ekonominë britanike. E ardhmja ekonomike pret diku tjetër jashtë në botën e madhe, para së gjithash në Azi. “Global” është po ashtu fjala e preferuar e tij. Faktet ekonomike, deputetët konservatorë të Tory nuk i kanë kundërshtuar kurrë: BE është vërtet, me dallim të madh nga të tjerët, partneri më i madh tregtar i Britanisë së Madhe, por këtë pak gjë do ta zëvendësojnë Singapuri dhe të tjerët pas Brexitit pa problem, apo?

Edhe njëherë tjetër u pikturon Johnsoni bashkëatdhetarëve të tij një të ardhme të lavdishme dhe në mirëqenie pa Evropën. Edhe nëse ekonomistët dhe gazetarët i dëshmojnë atij njëqind herë të kundërtën: Borisi e njeh rregullin bazë të propagandës. Një gjë vetëm duhet ta përsëritësh mjaftueshëm dendur, që të konsiderohet e vërtetë.

Johnsoni lufton për trashëgiminë dhe për të ardhmen e tij

Shumica e britanikëve e njohin tashmë raportin e tensionuar të Boris Johnsonit me të vërtetën dhe trajtimin tepër të shpenguar që u bën ai fakteve të rëndësishme politike. Si ministër i Jashtëm ai ka kohë që është diskredituar. Por edhe si kryebrexitas ai ka humbur çdo besueshmëri. Interesi i tij kryesor para së gjithash është që të pengojë një referendum të dytë dhe që të nxisë ambicien e tij. Johnsoni vazhdon të besojë se në fakt fati e ka caktuar që të jetë kryeministër dhe se në fund mund të bëhet pasardhës i Theresa May-t.

Brexiti duhet të jetë i ashpër, është mesazhi i tij, përndryshe gjithçka do të jetë e kotë. Vetëm e çliruar nga vargonjtë e marrëveshjeve dhe rregullave evropiane mund të ngrihet Britania e Madhe si shqiponjë në ajër. Kështu flet dikush që ose nuk kupton asgjë nga ekonomia botërore ose që e paraqet veten me qëllim si injorant. Në fund mbeten vetëm fjalë të marra të një kryemjeshtri të premtimeve boshe. Gjithçka do të rregullohet? Këtë nuk duhet ta besosh, kur përcjellësi i këtij mesazhi është Boris Johnsoni.

Qeveria ishte dhe mbetet e përçarë

Johnsoni duhet të jetë tani i pari që të tregojë ato që mendon lidhur me Brexitin e tij. Ministra të tjerë dhe në fund vetë kryeministrja duan të paraqesin në ditët në vijim strategjinë e tyre të Brexitit. Ajo vjen e vonuar me muaj të tërë, aq më tepër kur nuk pritet një plan i besueshëm: kabineti është dhe mbetet i përçarë.

Brexiti është vendimi më i rëndësishëm në historinë më të re të vendit, thonë vëzhguesit britanikë. Por qeveria në Londër dështon dhe nuk është e përgatitur për përgjegjësinë e saj. Lufta për Brexitin po e copëton vendin, po i përçan Tory-t dhe po e helmon klimën politike. Kjo vetëm mund të keqësohet në kuadër të negociatave me Brukselin muajt e ardhshëm. (Burimi:DW)