Prof.Dr. Pajtim Lutaj: Syri diabetik, injeksioni i ri që kthen shikimin 100%

“Injeksioni 1 herë në muaj, përfitimi për gjithë jetën”… Metodat më të mira për retinopatinë diabetike, që shmangin verbimin. Testet dhe analizat që duhen bërë dhe pasojat fatale që sjell mungesa e kontrollit

Intervistoi: Silva Balliu

Retina është një nga shtresat e syrit, e cila ndodhet në brendësi të tij dhe përbehet kryesisht nga qeliza nervore.

Te gjitha objektet që shohim projektohen në retinë, nga ku më pas përcillen drejt trurit në formë të impulseve elektrike.

Nëse syri do të krahasohej me aparatin fotografik, retina luan rolin e filmit në të cilën stampohen pamjet.

Retina preket nga disa sëmundje, por gazetës “Super Shëndeti” i kanë ardhur më së shumti pyetje nga lexuesit, rreth Retinopatisë Diabetike, që është është dëmtimi i enëve të vogla të gjakut në retinë nga komplikimet e diabetit, e cila përbën një prej shkaqeve kryesore të verbimit nën moshën 60 vjeçare.

Lidhur me këtë temë, gazeta ka intervistuar Prof.Dr. Pajtim Lutaj dhe jo më kot.

Prof.Dr. Lutaj ka me dhjetra punime shkencore në fushën e Okulistikës, publikimi i të cilave është bërë edhe në revistat mjekësore të huaja, duke u kthyer në referencë ndërkombëtare.

Karriera e tij “vlon” me titujt të shumtë universitarë dhe spitalorë dhe është autor i 5 teksteve mësimore dhe monografive të botuara.

Mbi 12 është numri i artikujve të botuar në revista rreth zhvillimeve të ndryshme të ndodhura përgjatë viteve në fushën e Okulistikës, nga këto 9 artikuj janë botuar në revistat jashtë vendit.

Gjatë karrierës së tij, Prof.Dr.Lutaj ka udhëhequr 11 udhëheqje shkencore për punime doktorature, në Shqipëri dhe Kosovë.

Gjithashtu, ai ka drejtuar 12 seanca shkencore të zhvilluara në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare rreth këtij specialiteti, ka mbajtur rreth 9 leksione në Kongrese Ndërkombëtare, si dhe ka bërë mbi 48 prezantime.

Një kontribut të veçantë Prof.Dr.Pajtim Lutaj ka dhënë edhe në organizimin e drejtimin e 2 kongreseve ndërkombëtare.

Ndërsa prej vitesh, ai është anëtar i shumë shoqatave të Oftamologjisë vendase dhe të huaja. Për kontribute shkencore dhe profesionale është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Motivacioni Presidencial ishte “Në vlerësim të kontributit të tij të shquar si mjek dhe profesor i njohur i Oftalmologjisë, për përcjelljen e përvojës së pasur shkencore tek brezat e rinj, si dhe për humanizmin e spikatur në ushtrimin e detyrës së tij me pacientët”.

Por duke qenë se Prof.Dr. Lutaj ka studiuar një kohë të gjatë në Francë dhe kontributi i tij shkencor në këtë shtet ka qenë në nivele të larta elitare, ai disponon edhe nacionalitetin francez. E duket se në të njëjtën rrugëtim janë edhe dy vajzat e tij, që kanë shkëlqyer si studente në Fakultetin e Mjekësisë në Paris.

Megjithatë, nëse do të shkruanim rreth karrierës së Prof.Dr. Lutaj nuk do të na mjaftonin këto faqet e gazetës, por sot do të ndalemi së pari në komplikacionet që japin sëmundjet e shekullit, si Diabeti dhe Hiper-Tensioni arterial në sy dhe cilat janë metodat e parandalimit, diagnostikimit, apo trajtimit të tyre, për të ruajtur shëndetin okular…

Diabeti është një nga sëmundjet shumë problematike, që dëmton edhe syrin. Si e prek kjo sëmundje, “dritën e syrit”?

Diabeti, hipertonia, duhanpirja, alkooli dhe obeziteti janë pesë sëmundjet e shekullit. Gjithë shkenca po vërtitet rreth këtyre sëmundjeve, të cilat në vitet e ardhshme do të kenë një rritje duke afektuar 1/3 e popullates.

Shkaqet janë multifaktoriale dhe lidhen shumë me mënyrën e jetesës, prandaj edhe diabeti është një nga problemet kryesore, sepse dëmton enët e gjakut periferike, prandaj merr emrin mikro-angiopatia diabetike.

Këto dëmtime përqendrohen kryesisht në organet kryesore: në sy, në tru, zemër dhe në veshka.

Dhe, i vetmi vend ku ne i shikojmë enët e gjakut me sy në organizëm, është vetë syri.

Kështu që, ndjekja e diabetit nga diabetologu është shumë primare, edukimi i pacientit është po aq i rëndësishëm dhe në këtë edukim futen edhe parandalimi i “komplikacionet e diabetit”, që përfshin edhe komplikacionet në sy.

Prandaj, çdo mjek diabetolog i këshillon pacintët që të shkojnë te mjeku i syve.

A është e mundur të shmanget dëmtimi i syve, tek ata që vuajnë nga diabeti?

Është 100 për qind e shmangshme. Ose më mirë të them, të trajtueshme, sepse diabeti dëmton enët e gjakut dhe nëqoftëse ne e kapim në fillimet e tij, në kohë, mund ta trajtojmë shumë mirë, sepse sot ka shumë metoda për të kuruar atë që quhet “retinopatia diabetike”.

Retinopatia diabetike është dëmtimi i enëve të gjakut të dritës së syrit. Me dritën e syrit, duke qenë se syri ka si karakteristikë kryesore transparencën dhe është i vetmi vend ku ne i shikojmë enët e gjaku nepermjet organeve transparente te syrit, shikojme dhe dokumentojme çdo ndryshim të retinës dhe enëve të gjakut.

Dëmtimet e avancuara krijojnë rrjedhje të gjakut, mbushin syrin me gjak, ulet shikimi…

Prandaj, sa më herët ta kapim, aq më e trajtueshme është.

Sepse sot, ose i trajtojmë me laser, ose me anë të injeksioneve intraokulare të medikamenteve. Ne i përmirësojmë ndryshimet e enëve të gjakut në sy. Retinopatia diabetike është i vetmi komplikacion diabetik që menaxhohet.

Por, koha është vrasëse. Sa më vonë, aq më keq. Ka një raport jashtëzakonisht të drejtë, midis kohëzgjatjes dhe rezultateve të këqija të trajtimit.

Prandaj, ka edhe protokolle, ku një i sëmurë, çdo pesë vjet nga dita e diabetit, duhet të bëjë një dokumentim të gjendjes se syrit me anë angiografisë, me anë të fotove, me anë të ekzaminimeve, që sot japin me detaje gjendjen e diabetit.

Jo vetëm që ke interes, se e mban dhe e trajton syrin, por ke edhe një interes tjetër; kontrollon indirekt edhe organet e tjera, si truri, zemra dhe veshkat.

Me çfare metode, mendoni ju, se duhet trajtuar retinopatia diabetike?

Nga momenti që kemi bërë angiografinë, shikojmë në çfarë stadi është retinopatia diabetike dhe ka një metodë për të të tërhequr këto enët e gjakut, që është metoda moderne e injektimit në sy, të disa preparative, që quhen ant-VEGF “anti vaskular endothelial Growth factor”.

Injektohen në sy një herë në muaj dhe bëjnë të mundur tërheqjen e enëve të gjakut dhe ruajnë retinën, apo dritën e syrit të mos ju prishet.

Metoda e dytë e trajtimit është Foto iagulimi me laser. Diabeti dëmton enët e gjakut dhe të parët dëmtohen kapilarët terminal, ngelen zona të tëra pa u ushqyer, të cilat zhvillojnë neo-vazat, këto i djegim me anë të lazerit.

Një diabetik me moshë diabeti pesë vite duhet të ketë bërë ekzamiminim e angiografisë, ekzamimin e OCT-së, (Optical coherence tomography) dhe nëse kemi retinopati, bëjmë dy seanca laseri të plota dhe pastaj, nëpërmjet kontrolleve, digjen me rreze laser vetëm zonat që përkeqësohen.

Vitet e fundit kanë hyrë në përdorim injektimet intraokulare, të cilat parandalojnë krijimin e neovazave dhe trajtojnë edemën makulare diabetike.

Përpos gjithë teknikave, mjekimi më i mirë është parandalimi, duke ekuilibruar mirë diabetin me anë të mjekimit të rregullt, në kohe, të dietës dhe aktivitetit fizik.

Këto injektime në sy bëhen njëlloj si insulina?

Jo, këto janë injeksione në sy që bëhen në stade të caktuara të sëmundjes dhe duhet të bëhen në ambjente sterile (salla operacioni) dhe nga mjekë me eksperiencë.

Është kriter mosha te këta pacientë?

Si kriter merret mosha e diabetit, jo mosha e personit.

Sa më e vjetër mosha e diabetit, aq më e lartë është mundësia që të kesh retinopati diabetike dhe, nëse pacienti ka sëmundje shoqëruese, kryesisht hipertoni, obezitet, etj.

Këta janë më të predispozuar për të dëmtuar enët e gjakut.

Këto janë edhe raste më të ndërlikuara. Në Shqipëri, duke qenë se mënyra e jetesës, konsumimi i ëmbëlsirave, trajtimi jo i mirë i diabetit është një problem gati shoqëror.

Kjo, pasi në Shqipëri, pacientët vijnë te ne shumë shumë vonë, në një stad sëmundjeje, që nuk kemi çfarë t’i bëjmë, as me injektime, as me laser, por duhet të bëjmë operacione shumë shumë të kushtueshme, të vështira, të rënda.

Sa i shtrenjtë mund të jetë një operacion, me terma të gjerë, sa mund të kushtojë?

Për fat të keq, ne nuk kemi arritur ta zhvillojmë në Shqipëri këtë teknikë operatore. Në vitin 2005, kam dërguar një person nga klinika universitare për ta përgatitur për kirurgji retinal, por nuk arritëm ta implementonim.

Për ta thënë shkurt, kjo kirurgji nuk bëhet në klinikën tonë universitare, për mungesë të kapaciteteve njerëzore, që duhet të ishte specializuar në këtë fushë.

Edhe nëpër klinika private, nuk besoj shumë te kirurgë, që vijnë operojne dhe ikin pa siguruar ndjekjen e pacientit.

Kam qenë gjithnjë kundër dhe me kolegët që futen në Shqipëri; ua kam thënë, sepse unë kam një parim:

Mjekësia nuk bëhet me telekomandë, që të vish ti, ta operosh dhe të ikësh, sepse duhet ndjekur me detaje i sëmuri, para dhe pas ndërhyrjes… duhet qëndruar, afër etj.

Kjo në fakt është një temë e gjerë në fakt, sepse në Shqipëri ka shumë klinika, që marketingun e kanë maksimal, themi psh, klinika gjemane, italiane, ruse etj, e aty nuk gjen asnjë gjerman, Italian apo rus. Cili është qëndrimi juaj?

Klinika e spitale me emra të huaj, janë të gjitha të mbushura me mjekë shqiptar, me studentët tanë, që janë mjekë të rinj.

Disa nga këta, unë i kam pasur bashkëpunëtorë, por nuk janë këta që bëjnë punën e kirurgut, në këto qendra.

Është detyra jonë, që ne ta zhvillojmë këtë kirurgji nga mjekë shqiptarë, që kanë dëshirë t’i futen kësaj fushe.

Është krijuar një mit në Shqipëri, që psh mjekët rusë janë më të mirët në fushën e Okulistikës? A është e vërtetë?

Është pyetja më e keqe që më bëhet shpesh, sepse unë jam specialist i kësaj fushe dhe unë, në përgatitjen time, nuk e kam ndeshur kurrë këtë pyetje në botë.

Sot, në botë, në plan të parë është Amerika.

Në plan të dytë, vjen Evropa që për mendimin tim nuk ka ndonjë ndryshim, Francë, Angli, Gjermani dhe për të tjerët e bëni vetë klasifikimin.

Përsa i përket historisë, disa mund të jenë, se bëjnë publicitet më të madh, por unë nuk mund t’i besoj shëndetin një klinike, që bën shumë publicitet në mjekësi.

I kam bërë kërkesë në mënyë të përsëritur ish-Ministrit të Shëndetësisë, që duhet ndaluar në mënyrë kategorike publiciteti medical.

Më ka ndodhur ta has edhe diku tjetër si term, ku më thonë që nuk bëhet marketing me shëndetin. Edhe ju besoni kështu?

Absolutisht, po. Nuk bëhet marketing me shëndetin, aq më tepër në një vend si i yni, që niveli mjekëve nuk është i kënaqshëm, që sistemi nuk është konsoliduar dhe kjo vështirëson vendimin e pacientëve për të zgjedhur mjekun apo klinikën.

Ai shikon një gjë në televizor dhe unë mund t’ju them pa hezitim, që këto publicitete false janë bërë pjesë e konsultave tona.

Pacienti na thotë, “ne e dëgjuam në televizor”.

Psh dëgjoj shpesh edhe unë në TV, publicitet për një operacion që e servirin si të ri, avangard, ndërkohë që unë kam dhjetë vjet që e bëj me rezultate 100 herë më të mira.

Por pacienti gënjehet nga reklama e joprofesionistëve…

Ju jeni Profesor i vetem i Okulistikës, pranë Spitalit Francez, në QSUT. Ia bëj këtë pyetje çdo doktori, kur intervistoj, për të nxjerrë edhe lexuesit e “Super Shëndetit” një konkluzion. Nëse unë apo familjarët e mi sëmuremi, a duhet t’i drejtohen Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza për kurim, apo aty tashmë mungesat në aparatura dhe në mjekë janë aq të mëdha, sa nuk kanë mundësi kurimi, e trajtimi sipas standardeve?

Është katërcipërisht e gabuar. Unë jam profesor në QSUT, kam edhe klinikë private, e cila është nga më të vjetrat në Shqipëri.

Çdo pacienti, unë i këshilloj, që nuk ka asnjë vend tjetër në Shqipëri, mjekësi si në QSUT. Pacientët duhet t’i drejtohen QSUT-së, pasi edhe ata pak profesorë që ka ky vend, keni mundësinë t’i gjeni në QSUT.

Dhe, siç ju thashë, të gjitha spitalet private apo klinikat private në vend, kanë rekrutuar studentët tanë.

Është tjetër punë, që ne nuk po e ndihmojmë sistemin dhe kjo kerkon me shume vemendje nga politike.

QSUT është vendi ku duhet të drejtohet pacienti shqiptar, është vendi ku pacienti ka referencat më të mira.

Unë mund të them, që përveç kirurgjisë së retinës, të gjithë të tjerat ne i bëjmë më mirë, se në çdo vend tjetër rreth Shqipërisë.