“Pyeongchang 2018”, moti i keq mund të shtyjë Olimpiadën

Moti i keq dhe temperaturat e ulëta mund të shtyjnë për disa ditë më shumë Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018”. Temperaturat e ulëta (deri në -20 gradë) dhe era e fortë ka bërë që mjaft gara të shtyhen. Kjo ka ndodhur me mjaft gara të skive alpine, ku dhe garojnë disa nga protagonistët kryesorë të këtij eventi olimpik.

Ndoshta shumë spektatorë apo sportistë mund të jenë mërzitur nga këto shtyrje apo anullime, por për ne e rëndësishme është jeta e sportistëve, siguria e tyre në garë. Ne nuk do të marrim asnjë vendim që mund të sjellë probleme me jetën e tyre”, – tha më tej Adams, zëdhënës i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), pas vendimit të marrë sot për të shtyrë me 48 orë edhe dy gara të tjera të skive alpine.

Por nëse kushtet do të vazhdojnë të jenë të tilla dhe garat të shtyhen, ekziston mundësia që disa gara të zhvillohen përtej 25 shkurtit, që është dita e fundit e Olimpiadës. Për t’u përmendur se në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Nagano (1998, në Japoni), gara e zbritjes së lirë për meshkuj u zhvillua 5 minuta para zhvillimit të ceremonisë së mbylljes.