Qeveria merr vendimin/ Fakulteti i Mjekësisë dhe QSUT pësojnë ndryshime

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim për shpronësimin e pronarëve të tokave pranë qendrës spitalore “Nënë Tereza”.

Në vendim thuhet se brenda këtyre ambienteve do të ndërtohet një godinë e re 8-katëshe. Sakaq, vendimi cakton qartë se shpronësimi i pronarëve do të bëhet brenda 30 ditëve.

Në vendimin në fjalë përcaktohet se vlera në total e fondit që do të përdoret për kompensim është 90 milionë lekë.

VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK,

TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I GODINËS SË RE 8-KATËSHE TË MJEKËSISË SË PËRGJITHSHME NË QENDRËN SPITALORE UNIVERSITARE “NËNË TEREZA”, TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i godinës së re 8-katëshe të mjekësisë së përgjithshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë”.
  2. Shpronësimi të bëhet në favor të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
  3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë truall + objekt, me një vlerë të përgjithshme prej 9 006 734.98 (nëntë milionë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e katër pikë nëntëdhjetë e tetë) lekësh.
  4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 006 734.98 (nëntë milionë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e katër pikë nëntëdhjetë e tetë) lekësh, dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga të ardhurat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
  5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
  6. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
  7. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
  8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
  9. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.