Rama në Universitetin Bujqësor: Fermerët e Korçës duhet të heqin dorë nga patatja. S’ka treg

Kryeministri Edi Rama, nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, foli ditën e sotme për skemat e reja të mbështetjes financiare të fermerëve.

“Në vend se të mbaroni masterin e të rrini te kafja e të prisni ndonjë punë shteti, shikoni mundësitë që të bëheni të aftë që duke mbështetur, ndihmuar fermerët si konsulentë të merrni ju fitimin nga projekti fitues”, theksoi Rama.

Kryeministri gjithashtu i ka kthyer edhe përgjigje ankesave të fermerëve të Korçës që ankohen se patatja e tyre nuk ka treg për t’u shitur.

“Në Korçë ka një problem, mbiprodhim të patates, s’ka treg dhe të gjithë shikojnë nga shteti a thua se është qeveria të shkojë t’u blejë patatet. Në një treg të lirë me konkurrencë të hapur, ka disa arsye pse ata që kanë mbjellë patate, duhet të heqin dorë dhe s’duhet të rrinë të mendojnë që s’u shitet se shteti s’është në gjendje të bëjë të mundur. Ajo është patate e bardhë që së pari është më pak e preferueshme se patatja e Kukësit dhe del kur del patatja e dytë e Divjakës dhe janë të dënuar ta mbajnë pataten në stoqe, duhet të kalojnë te pemëtaria, mollët. Kjo do të thotë informim, nëse dikush ka pasion të mbjellë banane në Alpe le ta bëjë, por s’mund të kërkojë mbështetje financiare nga ne”, tha Rama.