Rama: Të shkrihen drejtoritë e bujqësisë. Të zëvendësohen nga struktura informimi reale

Nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për shkrirjen e drejtorive të bujqësisë në vend dhe zëvendësimin e tyre nga struktura informimi reale.

Ndër të tjera kryeministri Rama tha se në strukturat shtetërore informimi nuk funksionon.

“Siç është biznes, është edhe dije. Sa më shumë të dish, aq më shumë mund të fitosh në tokën me punën në fshat. Ky është një element shumë problematik, ndaj ju duhet të konsideroni seriozisht faktin se çfarë keni futur në kokë në këtë universitet është një kapital, që të tjerët nuk e kanë dhe përmes të cilit ju mund të fitoni shumë më tepër.

Kapacitetin evropian e kanë më të madh vendet më të përparuara dhe më të vogël vendet më në nevojë. Vendet më të përparuara kanë më shumë, sepse dinë më shumë.

Ne duam të rrisim kapacitetin e dijes, që t’iu themi fermerëve ‘ja ku i keni fondet, hajdeni e merrni’. Ata nuk i marrin dot, nëse nuk dinë. Struktura shtetërore e informimit nuk funksionon. Ndaj duhet të shkrihen drejtoritë e bujqësisë dhe të zëvendësohen nga struktura informimi reale pranë fermerëve.

Në Korçë ka problem, ka mbiprodhim të patates dhe nuk ka treg. Të gjithë shikojnë nga shteti, a thua se është qeveria që duhet t’iu blejë patatet. Duhet të heqim dorë nga mbjellja e patates dhe të mos mendojnë që ajo nuk shitet, sepse shteti nuk është në gjendje të mundësojë shitjen e saj. Duhet të heqin dorë nga patatja dhe të kalojnë te mollët.

Për këtë duheni ju, që të shtojmë forcat dhe të jemi në fazën e aplikimeve në të gjithë territorin, ku ne synojmë të rrisim eksportet dhe të përcjellim mesazhin e qartë se çfarë janë skemat e reja.

Ka dy programe, njëri i qeverisë shqiptare,  më i thjeshtë, dhe i BE, më i vështirë.

Ky është momenti i parë i lidhjes tuaj me AZHBR, kur të mbaroni studimet ju të jeni të parët për t’u bërë pjesë e saj. Kush do ta kapë këtë moment, do të hapë një rrugë suksesi në karrierën e vet. Do të ketë shumë punë për të bërë. Folëm me rektorin për të ndërtuar një urë në vazhdimësi. Na duheni si rrjet dije dhe ju duhet rrjeti i dijes si mjet fitimi”, tha Rama.