Si ka ndryshuar potenciali tregtar i Kosovës?

Në harkun kohor të 10 viteve, Kosova ka rritur gradualisht potencialin e shkëmbimit tregtar në vendet jashtë rajonit ku përfaqsimi i këtyre vendeve në portofolin e përgjithshem tregtar sipas raportit të bankës Botërore Doing Buisness rezulton të jetë rritur për 3%.

Integrimi i tregtisë së Kosovës me vendet jashtë rajonit është bërë vetëm në favor të importit nga këto vende në Kosovë, ndërsa në aspekt të eksportit, janë vendet brenda rajonit ato që kanë rritur pjesëmarrjen e tyre në portfolion tregtare të Kosovës.

Këtu theksohet se Turqia është i vetmi vend, në këtë rast bllok i rajonit, me të cilin Kosova e ka rritur integrimin si për importe ashtu edhe për eksporte.

Në aspektin e partneritetit tregtar, në vitet 2008 – 2017 Shqipëria qëndron e para për eksportin e Kosovës, përcjellë nga Maqedonia dhe Mali i Zi, ndërsa sa i përket partnerëve importues, tri të parët përgjatë këtyre 10 viteve janë Maqedonia, Serbia dhe Turqia, me një ngritje të ndjeshme të Serbisë.

Ndërsa për specifikat e mallrave ku Kosova është neto importuese e dukshme, raportohet se tregtia e mallrave industriale të Kosovës me rajonin është tri herë më e madhe se tregtia me mallra ushqimore. Ndikimi i ndërtimit të autostradës së Kombit ka rezultuar në rritjen e shfrytëzimit të pikës doganore me Shqipërinë por jo edhe në integrimin e ekonomive të të dyja vendeve.

Ndërtimi i autostradës rezulton të ketë ndikuar vetëm për përdorimin e territorit të Kosovës dhe Shqipërisë për përdorimin e territoreve të këtyre vendeve për importimin dhe eksportimin nga dhe në vende tjera.

Gjithashtu është analizuar se gjatë periudhës 58 ditore të reciprocitetit, mallrat nga Serbia kryesisht janë zëvendësuar me ato nga Maqedonia dhe Kroacia, e më pak nga Greqia e Bullgaria. Sa i takon investimeve të huaja direkte në Kosovë vërehet se ka një rënie, ku Turqia vijon të ruajë vendin e parë si investuesi më i madh.