T’ia nisim nga e bukura

Nga Fisnik BIBA

Shumëkush prej nesh është dëshmitar i dështimeve të njëpasnjëshme që po mbërthejnë e mbajnë në ngërç shoqërinë shqiptare. Ndonëse rrethanat janë, besoj, të pazakonta, kësaj shoqërie i është mveshur një rrobë mendësie ku çdo gjë lejohet, një forma mentis ku gjinden sidolloj vjegash, përligjje jo dhe aq të zorshme si: këto jemi ne, jemi popull fatkeq, të paditur, të mpirë nga skami, më mirë të dyndemi të gjithë që këndej, e të tjera jo më pak të rënda. Në këtë mënyrë, kësaj mendësie i bëhen shkas këta shpjegime lehtësuese, e ne gjendemi, të zënë ngushtë, kund dhe më të humbur e të mundur.

Me gjasë, pjesërisht, këta shpjegime janë të vërteta.

Që kryet e kemi në fjalëtym, që një pjesë e mirë e kësaj shoqërie shkon si e ndërkryer, është lehtë t’a gjuash. Kemi halle! Jo vetëm kronika e zezë dhe droga. Kemi plot vramendje të tjera: papunësia, rrogat, pronat. Borgjet! Çfarë do bëhet me fëmijët tanë? Po shkollat..!? A duhet të kujdesemi më shumë për të moshuarit?

Problemi qëndron se ktij skaj dheu, ku ne banojmë a jemi shtetas, ndodh shpesh që vramendjet shpien në mosdurim, kjo e fundit në mosmarrveshje, dhe kështu me rradhë marrin rrugë gjer-atje ku, do të thoja, ka një mungesë të plotë vëmendje për atë çka ndodh. Ç’bëhet këtu: një tjetër lumë do shfrytëzohet për HEC?

Dihet se, ku ka pak vëmendje ka dhe pak dashuri. Nuk na mjafton koha të duam të tanët. Jo më vendin! Shqipëria, dikush mund të shprehej, në mënyrën më ndjellakeqe, është një plaçkë e pazotë. Dashurinë për vendin, për lumenjt, ku t’a çojmë?

Camaj ynë thonte: Nji komb a nji brez që humb drejtimin, s’ka Zot që e ndih.

Por meqë duhet, me patjetër, t’ia nisim nga dikund, unë i ftoj simotrat e sivëllazrit e mijë t’ia nisim nga lumenjt.

T’ia nisim me mbrojtjen e tyre para gjithçkaje tjetër!

T’iu drejtohemi të njohurve e të panjohurve, artistëve intelektualëve, minatorëve naftëtarëve, mor-po çdokujt, të rritur e të vegjël; pensionistëve e mësuesve të filloreve, studentëve e bjerraditasve; forumeve në internet, bizneseve të suksesshme e të ndershme, foltoreve të mediave, hapësirës që kanë në gazeta opinionistët; diaspores së gjërë që zien e tëhuaj.

Me këtë iso, padyshim do hapin sytë ata që na hiqen si sunduesit e natyrshëm të ktij vendi. Gjysma e vendit nuk ka votuar për asnjë mazhorancë në parlament, biles kjo gjysmë vendi nuk ka votuar për asnjë klasë politike. Cilët shqiptar përfaqësojnë? Kjo është, besoj, pabesia më e madhe! Shtirja më e paturpshme kur na shfaqen të bekuar me hirin e shenjtë të zgjedhjeve, dhe japin leje shfrytëzimi për fitime aq të dobëta. Për një HEC! Se mbeti ekonomia e tërë Shqipërisë në qafë të një lumi të shkretë, Osumit! A të tjerë lumenj!

Mirëpo duan të zhdukin çdo gjë të bukur të ktij vendi.

Ju bëj thirrje t’i mbrojmë!

Të mbrojmë të bukurën me çdo mjet, si shtysë e parë shpirtërore e çdo njeriu. Çdo e bukur lidhet në frymë me drejtësinë.