Turqia flet për rolin në Ballkan: Nëse nuk kujdesemi, Evropa do paguajë çmim të lartë

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev, duke iu referuar operacionit “Dega e Ullirit” në Afrin të Sirisë, tha se hapat e Turqisë në rajon nuk synojnë të garantojnë vetëm sigurinë e Turqisë, por edhe atë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ajo që Turqia bën në rajon nuk ka për synim të garantojë vetëm sigurinë e njerëzve dhe pronave të Turqisë, por në të njëjtën kohë edhe atë të BE-së dhe Ballkanit. Nëse Turqia nuk kujdeset për këtë vend, atëherë e gjithë Evropa do të paguajë çmim të lartë si nga kriza e refugjatëve, ashtu edhe nga vala e terrorizmit. Fatkeqësisht, kjo gjë nuk vlerësohet dhe nuk përfillet mjaftueshëm nga BE-ja”, tha Yıldırım.

Yıldırım tha se lidhjet e fuqishme vëllazërore mes Maqedonisë dhe Turqisë datojnë nga e kaluara dhe janë tregues i rëndësishëm.

Kryeministri turk tha se me delegacionin nga Maqedonia kanë diskutuar gjerësisht në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shtuar se kanë rënë dakord për aktivizimin e potencialeve të reja dhe forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat.

Yıldırım nënvizoi se vëllimi tregtar aktual mes Turqisë dhe Maqedonisë nuk reflekton potencialin e dy shteteve, duke thënë se gjatë takimit po ashtu janë dakorduar për rritjen e vëllimit tregtar së shpejti.

Ai tha se ndihen të gëzuar që investimet turke në Maqedoni kanë arritur në 1,3 miliardë dollarë dhe theksoi se interesi i investitorëve turq është duke u rritur. Në lidhje me këtë, Yıldırım tha se homologu Zaev e ka informuar gjerësisht për aktivitetet që do të hapin rrugën për ardhjen e investitorëve turq.

Gjatë takimit, siç njoftoi kryeministri turk, është diskutuar në mënyrë gjithëpërfshirëse edhe lufta kundër terrorizmit dhe rritja e bashkëpunimit në Ballkan me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve të rajonit.

“Ne falënderuam Maqedoninë për mbështetjen që ia dhanë vendit tonë gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik. Ne riafirmuam edhe një herë kërkesën tonë për përfundimin e aktiviteteve në Maqedoni të organizatës terroriste FETO, e cila është përgjegjëse për tentativën për grusht shteti”, tha Yıldırım.

Yıldırım rikujtoi se gjatë një takimi me kryeministrin Zaev më 21 dhjetor në Maqedoni, në të cilin kishte qenë i pranishëm edhe zëvendëskryeministri turk Hakan Çavuşoğlu, ishte shprehur se “Armiku i Turqisë, është edhe armiku ynë”. Yıldırım tha se me këtë deklaratë, Zaev ka shfaqur qëndrim të qartë dhe se i vlerësojnë aktivitetet e ndërmarra në këtë drejtim.

“Organizata terroriste FETO nuk është vetëm një organizatë që ka tentuar të kryejë grusht shteti në Turqi, por organizatë e kontrolluar nga forcat globale e cila nëse jo sot nesër, e nëse jo nesër në afat të mesëm do të jetë problem për shtetet ku është e pranishme. Në lidhje me këtë, ne i ndamë informacionet me kryeministrin”, u shpreh kryeministri Yıldırım.

Duke folur për aktivitetet e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Intitutit Yunus Emre në Maqedoni, Yıldırım tha se ato japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjatë takimit, siç njoftoi kryeministri turk, kryeministri Zaev është informuar edhe në lidhje me çështjet rajonale, siç është Operacioni Dega e Ullirit, të cilin Turqia e ka nisur në Afrin të Sirisë kundër organizatave terroriste.

“Shpresoj që Maqedoninë të mos e lënë të presin sa ne”

Kryeministri i Turqisë më tej tha se i japin rëndësi integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, duke rikujtuar se Turqia njeh Maqedoninë me emrin kushtetues dhe është e para që ka emëruar ambasador në këtë vend.

“Edhe më tutje do të vazhdojë mbështetja jonë për integrimin e saj në NATO. Në të njëjtën kohë, mbështesin anëtarësimin e saj në BE. Megjithëse nuk jemi vend anëtar i BE-së, shpresoj që Maqedoninë të mos e lënë të presin sa ne”, tha Yıldırım.

Duke folur për mosmarrëveshjen rreth emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë, kryeministri turk tha se një vend duhet të vendos vetë se cili do të jetë emri i tij.

“Është gabim i madh që vende të tjera t’ia caktojnë emrin atij vendi. Edhe krahas të gjitha këtyre, dëshira jonë më e madhe është që zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Greqinë të gjendet duke biseduar, duke u takuar dhe me lehtësi”, theksoi kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım.