U godit në kokë gjatë duelit, lë futbollin 26 vjeç (Video)

Një goditje në kokë gjatë dyluftimit në ajër dhe ai tashmë detyrohet t’i japë fund futbollit të luajtur.  Ryan Mason ka varur këpucët në gozhdë në moshën 26-vjeçare, pasi nuk ka arritur të shërohej nga lëndimi që kishte pësuar një vit më parë ndaj Chelsea.

Mesfushori anglez i Hull City u përplas vitin e kaluar kokë më kokë me qendërmbrojtësin Gary Cahill. Mason humbi ndjenjat në atë ndeshje dhe u dërgua menjëherë në spital, ku u operohej në kokë. Edhe pas një viti ai nuk arriti të shërohej dhe tashmë ka vendosur që përfundimisht të largohet nga futbolli.

“Kam punuar shumë për t’u rikthyer. Fatkeqësisht, pas këshillave të ekspertëve, duhet të tërhiqem nga futbolli pasi dëmtimi shfaq rrezik. I falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar në rikuperim”, – shkroi në rrjetet sociale Mason.