U rishpall kampion Ballkani, Smajlaj: Dua të jem ambasador i sportit shqiptar

Disa orë më parë fitoi sërish medalje të artë, duke marrë titullin e dytë radhazi të Kampionit të Ballkanit në garën e kërcimit së gjati për salla të mbyllura. Izmir Smajlaj ndjehet mjaft mirë për këtë gjë. Natyrisht që rezultati 7.80 ka qenë jo më i miri i tij, por ai e ka një justifikim për këtë.

“Nuk ka qenë rezultati im më i mire, sepse në fakt jam në një periudhe stërvitje me ngarkesa, ngaqë stërvitem për gara të tjera më të rëndësishme. Megjithatë, e rëndësishme ishte zënia e vendit të parë dhe mbajtja e titullit të kampionit të Ballkanit. Vendi i dytë ishte 7.00 metra, çka do të thotë se nuk e vura në dyshim titullin. Sigurisht që jam i kënaqur me këtë arritje” – ka deklaruar kampioni shkodran për portalin Shodrasport.com.

Ndërkohë, i pyetur për emocionet që ka përjetuar sërish pas ngritjes së flamurit shqiptar edhe në Stamboll, Izmiri përgjigjet: “Të ngresh flamurin shqiptar, është nder dhe krenari. Dua të bëhem ambasador i sportit shqiptar te të rinjtë. Të jem një pasqyrë motivimit për ta. Jam shumë i kënaqur, rëndësi kishte mbrojtja titullit. Dua të falënderoj trajnerin tim Gjergj Ruli dhe sponsorët e mi që më ndihmojnë për arritjen e këtyre titujve”.