Viti 1979, Celtic kërkoi bluzën e Sefedin Brahos për muze

Për brezin e ri mund të jetë një emër me të vërtetë i panjohur, sepse ne jemi nga ata që “harrojmë” yjet që dhanë shumë për këtë vend dhe sport. Sefedin Braho është një legjendë e vërtetë e futbollit shqiptar në përgjithësi dhe e atij gjirokastrit në veçanti.

Në memorie, një legjendë të tillë të sportit më të dashur për të gjithë e sjell gazetari Engjëll Serjani. Në një postim të tijin në profilin e tij personal në Facebook, ai ka shfaqur një foto me legjendën e futbollit shqiptar. Krahas fotos ai na jep edhe një “copëz” të artë të historisë së Brahos.

Sefedin Braho, një nga më të mirët në vendin tonë në vitet 70-80, u shqua për gjatë gjithë karrierës së tij për shpejtësinë që e karakterizonte. Ishte aq i shpejtë dhe i pakapshëm nga kundërshtarët saqë tifozët e pagëzuan me nofkën “shigjeta”.

Fitues disa herë i anketës vjetore si futbollisti më i mirë në vend. Kur Braho aktivizohej me Partizanin, të kuqtë luajtën në Skoci kundër Celtic. Klubi legjendar skocez kërkoi zyrtarisht fanellën e Brahos që ta vendoste në muzeun e klubit, pasi kishin parë tek ai një lojtar të jashtëzakonshëm. Ishte një super talent i lindur i futbollit, por “fatkeqësia” e tij ishte se kurrë nuk luajti jashtë vendit për shkaqe që lidhen me politikën që aplikohej në atë periudhë në vendin tonë.

Braho ishte futbollisti ku harmonizimi i shpejtësisë me teknikën e futbollit ishte mëshiruar në mënyrë perfekte. Legjenda të tilla të sportit janë të vlefshme të tregohen dhe të reklamohen. Nuk duhen lënë në harresë për brezin e ri, brezin të cilin nuk njeh thuajse asnjë prej legjendave të viteve të kaluara në futbollin tonë.