Zbulohen detaje tronditëse nga vdekja e foshnjës 2-javëshe/ Ka dy prerje, në kofshë dhe pulpë

Pak më herët u raportua se një foshnje 2-javëshe kishte ndërruar jetë në maternitetin “Koço Gliozheni”, në kryeqytet, por policia ka përcjellë detaje tronditëse.

Foshnja ka pasur dy shenja prerje, në pjesën e kofshës edhe të pulpës. Nëna 40-vjeçare me inicialet. V. K., është e identifikuar si person me probleme psikike. Ajo ka kryer lindjen në shtëpi, para dy javësh dhe dje ka shkuar në maternitetin “Koço Gliozheni”, në kryeqytet, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ky rast është referuar në polici dhe po hetohet nëse plagët foshnjës i janë shkaktuar në mënyrë aksidentale, apo kemi të bëjmë me një vrasje të foshnjës. Nëna ka qenë në kushte të rënda psikike dhe nuk ka folur as me mjekët dhe as me policinë. Sipas familjarëve, ka qenë dëshira e 40-vjeçares për të lindur në shtëpi, në kushte natyrale.

Ndonëse foshnjes është tentuar t’i jepet ndihma mjekësore, mjekët nuk kanë mundur ta mbajnë në jetë. Pas kryerjes së procedurave, nëna është transportuar në spitalin neurologjik pranë QSUT, ku po mbahet në mbikqyrje nga mjekët.