Arroganca e Panuccit me kapitenin Ansi Agolli…

Nga Andi MATRAXHIU

Duke parë konferencën për shtyp të Panuccit, personalisht trajneri m’u duk shumë arrogant në momentin që foli për kapitenin Agolli. As vetë Fabio Capello, që ka fituar shumë trofe në karrierën e tij si trajner dhe që e ka mbajtur gjithmonë nga pas trajnerin aktual kuqezi, s’do të tregohej aq arrogant.

Mënyra dhe ftohtësia e tij lanë një shije të hidhur. Sigurisht, trajneri ka të drejtë të bëjë gjithçka, por në aspektin human, Ansi Agolli, një djalë pa fjalë dhe profesionist, meritonte një sjellje më profesionale dhe më të butë përballë të gjithë shqiptarëve!

Por, Panucci u shpreh sikur po fliste për ndryshimin e markës së veshjeve në kombëtare, jo se po largonte kapitenin me motivin e moshës (36 vjeç).

Në fakt, në futboll shikohet forma sportive, pasi vetë Panucci është shkëputur nga futbolli i luajtur 37 vjeç dhe askush s’ia ka përplasur në fytyrë problemin e moshës.

Ne shqiptarët hutohemi shumë kollaj kur një i huaj na del përballë. Të njëjtën gjë bënë dhe gazetarët në sallën e konferencës për shtyp, të cilët u treguan shumë të butë me Panuccin.

Jam pro trajnerit të huaj, por kundër arrogancës. Ne shqiptarët kemi afeksion kombëtar, jemi të lidhur shpirtërisht me kombëtaren, ndaj na dhimbset të shikojmë këtë mënyrë të sjelluri ndaj njërit prej heronjve, që na përmbushi ëndrrën e madhe në “Francë 2016”.

Panucci, një trajner i ri në profesion, e ka mprehur shumë “kosën e tij”, por duke qenë kaq e mprehtë, ndonjëherë, gjatë punës, “kosa” mund ta “presë” edhe vetë atë.

Për mos ta zgjatur më shumë, duke iu referuar edhe gjuhës së përdorur prej tij, jam kurioz të shikoj nëse Panucci ka bythë vetëm për të larguar me gjakftohtësi lojtarë simbol të kombëtares, apo edhe të marrë rezultate?!

Në fund, çfarëdo që të ndodhë pas eliminatoreve të radhës, ngado që trajneri ta drejtojë kokën, b… gjithmonë prapa do ta ketë!