BE-Kinë, nisin fërkimet

Nisja e globalizmit, që në thelb është lëvizja e lirë e mallrave dhe kapitaleve, duke hequr barrierat frenuese, kishte si synim që Perëndimi të dominonte gjithë ekonominë globale mbas shembjes së komunizmit.

Në fakt, rreth vitit 1994, kur ai nisi praktikisht, vendet perëndimore kishin një potencë të tillë ekonomike, financiare, teknologjike, që projektuesit e tij nuk e diskutonin dominimin global të tregjeve, pasi praktikisht nuk kishin konkurrentë. BRSS u shkatërrua dhe Rusia e Jeltcinit llogariste 70 milion banorë, gati gjysma e popullsisë nën nivelin e varfërisë, Kina e fillimit të viteve ’90 pothuajse nuk kishte peshë në ekonominë globale, ndërsa India llogariste rreth 300 milion banorë në varfëri ekstreme.

Për kompanitë perëndimore u bë shumë i lehtë depërtimi dhe dominimi global.

Por 25 vite më parë askush nuk mund ta imagjinonte kuadrin e sotëm ekonomik global. Boshti i ekonomisë botërore tashmë është zhvendosur në Lindje dhe potenca ekonomike e Kinës (nga 564 miliard dollarë në 1994, sot GDP është rritur 30 herë) dhe Indisë janë tashmë evidente.

Tani është Perëndimi që po shikon se efektet e globalizmit po kërcënojnë gjithë ekulibrat ekonomiko-socialë të shoqërive perëndimore. Pavarësisht se kompanitë shumëkombëshe kanë shtuar ekstremisht fitimet, situata ekonomike po fillon të bëhet e rrezikshme.

Fitoret e Trump, të Brexit, të populistëve në Itali flasin se në Perëndim po kërkohet gjithmonë e më shumë një ndryshim i politikave ekonomike dhe kundërshtimet ndaj globalizmit po fitojnë gjithmonë e më shumë terren.

SHBA rezulton më nje deficit tregtar prej 566 miliard dollarë për vitin 2017, duke humbur miliona vende pune dhe duke reduktuar prodhimin industrial dhe për këtë arsye Trump nisi politikën proteksioniste mes kritikave dhe pasigurisë së gjithë globalistëve.

Por edhe BE, që ka qenë partizania më e flaktë e globalizmit, tani është e detyruar të marrë masat e saja mbrojtëse. Por nëse në raport me SHBA-në BE-ja ka një bilanc tregtar pozitiv dhe tendecialisht kapitalet lëvizin me shumë nga Evropa drejt SHBA-së, duke okupuar pjesë të tregut amerikano-verior, e kundërta po i ndodh me Kinën, që tashmë e ka vënë në qendër të synimit të saj depërtimin ekonomik në Evropë.

Tashmë Evropa po zbulon në mënyrë të papritur rrezikun kinez. Kina ka një surplus të bilancit tregtar me BE-në prej 180 miliard euro, ndërkohë që BE me SHBA-në ka një surplus prej +151 miliard euro.

Investitorët kinezë, me mbështetjen zyrtare të Pekinit, po sillen në ekonominë gjermane, por edhe atë evropiane, jo vetëm si një klient në supermaket, që mund të blejë gjithçka, por edhe me një kartë krediti pa limit. Nën sytë e establishmentit evropian, kinezët po blejnë jo vetëm në fushat e imobiliareve dhe të skuadrave të furtbollit, por edhe shoqëri high-tech, që mundet në të ardhmen të dobësojnë dukshëm avantazhet kompetitive të teknologjive të larta evropiane në tregun global.

Pakënaqësia e Brukselit po rritet edhe nga fakti tjetër, që Kina po përdor investimet e saj të fuqishme për qëllime politike, veçanërisht në ato vende që konsiderohen si sfera të interesave evropiane prioritare. Këtu nënkuptohen veprimet e Kinës në Afrikë, që konsiderohet si një oborr i Evropës, por edhe brenda vetë BE-së, në Ballkan.

Në fakt, situata është komplekse, pasi tani që BE-ja po hyn në një luftë tregtare me SHBA-në, të shpallur nga Trump, nisja e një konflikti me një aleat potencial, siç është Kina, nuk është një strategji racionale e këshillueshme.

Por kur kompania kineze e automobilëve, Geely, u bë në mënyrë të papritur aksionieria e mazhorancës në simbolin e industrisë gjermane Daimler – Benz, politikanët gjermanë e humbën durimin.

Por Berlini duhej të reagonte më përpara, kur kinezët blenë prodhuesin e robotëve industrialë Kuka AG, një nga kompanitë avant-garde high-tech të klasit të parë në Evropë.

Investimet kineze po rriten në sektorët strategjikë shumë të rëndësishëm dhe problemet shtohen kur kryhet transferimi i teknologjisë nga Gjermania në Kinë.

Tashmë poltika gjermane dhe ajo evropiane po kuptojnë se loja me dyer të hapura me Kinën po bëhet shumë e rrezikshme.

Mjafton të shikosh deklaratën e fundit të Merkel, për të kuptuar se sa serioze është situata.

Ajo ka deklaruar se fundmi se nevoja e zvogëlimit të influencës kineze në Evropën Qendrore dhe Lindore është më e rëndësishme se vetë reforma e BE-së dhe, biles, edhe se kriza e shkaktuar nga emigrimi masiv.

Më qartë nuk mund të shprehet shqetësimi se tani Kina duhet të frenohet.

Për këtë, KE ka hartuar një projekt-ligj për reduktimin e investimeve kineze dhe aprovimin e tij brenda vitit 2018.

Ky p/ligj parashikon që Komisioni Evropian të ketë të drejtën e vetos për objektet e  investimeve të shoqërive joevropiane, në rastin kur këto investime konsiderohen si një kërcënim për interesat e sigurisë së BE-së. Në praktikë synohet që kjo veto të vendoset në bazë të një analize bazuar në situatën gjeopolitike.

Megjithëse BE-ja tenton ta përdorë këtë në pamje të parë vetëm për kinezët, objektivi është që për gjithë kompanitë e huaja, përfshirë edhe amerikanët, por edhe rusët, japonezët, indianët dhe koreanejugorët.

Gjithë Evropa Lindore do të goditet nga ky ligj, pasi ata mezi presin investimet e miliardave nga projekti gjigant Rruga e Mëndafshit, duke iu shmangur Berlinit dhe Parisit.

Por nuk është kaq e thjeshtë për Orbanin me shokë, pasi këtyre vendeve do t’iu kujtohet se kush i merr vendimet në Evropë.

Në fakt, miratimi i këtij p/ligji, në thelb, do të thotë se nocionet klasike të liberalizmit ekonomik, që frymëzuan globalizmin si lëvizja e lirë e kapitalit për 25 vjet, tashmë kanë nevojë që të korelohen me format e vjetra të nacionalizmit ekonomik dhe proteksionizmit, duke i hequr tashmë maskat.

Perëndimi thekson qartë se interesat kombëtare dhe kufizimi i influencës politike të konkurrentëve gjeopolitikë janë më të rëndësishme se gjithë rregullat dhe principet e globalizmit dhe shkëmbimit të mallrave dhe kapitaleve.

Por një gjë është e qartë, se parimet e globalizmit, që dominuan botën 25 vitet e fundit, janë të sanksionuara edhe në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë, tashmë do të vihen në diskutim.

Tërheqja e njëanshme, siç po bën Trump dhe që po përgatitet dhe BE-ja, do të sjellin patjetër kundërpërgjigje të aktorëve të tjerë ekonomikë botërorë dhe një luftë tregtare tashmë po duket në horizont.

Është e vërtetë se luftërat tregtare nuk sjellin direkt shkatërrime dhe humbje njerëzore, por efektet e tyre janë po aq shkatërrimtare sa edhe vetë luftërat e nxehta. Biles historia tregon shumë shembuj ku dëshmohet qartë se kanë qenë luftërat tregtare që kanë çuar në  luftëra të vërteta shkatërrimtare.

Në fakt, nëse të gjitha tashmë do të vendosin në politikat e tyre ekonomike fjalën First (First America, First BE, First China, First Japan, First India e kështu me radhë), bota do të hyjë në një spirale mjaft të rrezikshme dhe pikërisht tani që mendohej se po i kalonte pasojat e krizës së rëndë të 2008-s.