Champions / Barça-Chelsea e Besiktas-Bayern, sot dy “biletat” e fundit

Champions League jep sonte dy “biletat” e fundit të fazës së 1/8 finale. Barcelona pret Chelsean në “Camp Nou” në ndeshjen e kthimit. Ndeshja e parë mes tyre mbaroi 1-1 në “Stamford Bridge”.

Barcelona futet në këtë ndeshje në pozita më të volitshme se skuadra e Antonio Contes, sepse ka përparësinë e stadiumit dhe golit të shënuar në fushë kundërshtare.

Ernesto Valverdes i kthehet Lionel Messi, i cili mungoi në fundjavë kundër Malaga-s në La Liga për shkak të lindjes së fëmijës së tretë, ndërsa Philippe Coutinho nuk ka të drejtë të luajë në këtë garë, pasi ka luajtur paraprakisht këtë sezon për Liverpool.

Formacioni i mundshëm i Barcelonës: Ter Stegen; Vidal, Umtiti, Pique, Alba; Rakitic, Busquets, Iniesta; L. Suarez, Dembele, Messi.

Formacioni i mundshëm i Chelseat: Courtois; Rudiger, Christensen, Azpilicueta, Alonso, Zappacosta; Kante, Fabregas, Hazard, Willian; Morata.

Ndeshja tjetër mes Besiktas dhe Bayern Munchen duket pa shumë histori, pasi bavarezët thuajse e kanë siguruar kualifikimin pas fitores së thellë 5-0 në “Allianz Arena”. Për turqit është një përballje historike, pasi ndeshen për herë të parë në këtë fazë të Champions League.