Dalipi: Partizani shkon për fitore në Shkodër, për Starovën…

Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të ndeshjes me Vllazninë. Tekniku nga Elbasani është i bindur se skuadra e tij do të luftojë për fitore në Shkodër.

Dalipi tregoi se nuk do të bëjë ndryshime në formacion dhe do ta nisë nga minuta e parë, ai formacion që e nisi ndaj Luftëtarit. Tekniku i të kuqve flet edhe për marrëdhënien me Starovën dhe arsyen pse e pranoi ftesën e presidentit Demi për të marrë drejtimin e ekipit.

Si e keni përgatitur sfidën ndaj Vllaznisë? A do ia dilni ta mposhtni sërish duke parë nevojën e tyre për pikë?

Ne e dimë shumë mirë që Vllaznia ka pasur ngritje në lojën e saj, akoma më të tepër nga përforcimet e janarit, duke afruar një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar Sukajn.

E dimë shkallën e vështirësisë dhe do jetë një ndeshje që brenda 90 minutave do të ketë shumë episode, por shpresojmë që episodet e mira të jenë për ne dhe të dalim te loja jonë, duke ditur që edhe terreni ta lejon.

Vllaznia është skuadër që lufton për mbijetesë i ka jetike pikët, por ne kemi objektivin tonë, për rezultatin madhor: Të fitojmë. Më pas se si do përfundojë takimi e di Zoti!

Do të ishte një fitore dhuratë për ju, apo dhuratë për një ecuri më të mirë…

Nuk e kisha parashikuar që do emërohesha dy ditë para ditëlindjes. Do ishte kënaqësi, por dëshira ime është që të bëj sa më mirë dhe skuadra të eci përapara dhe të arrijë objektivat.

Luani përballë një prej mbrojtjeve më të mira. Si di e interpretojë lojën ekipi juaj?

Statistikat janë të drejta, por ka edhe një gjë tjetër që i kundërpërgjigjet atyre. Vijmë nga një ndeshje shumë e mirë. Fituam ndaj një ekip që kishte 11-t javë pa u mundur dhe realizuam tre gola me plot meritë, duke prodhuar edhe lojë.

Shpresoj që lojtarët të shprehen sa më mirë dhe impenjimi të jetë i njëjtë si me Luftëtarin. Kam besim te lojtarët e mi, kam kohë që punoj me ta dhe e di çfarë mund të japin më tepër për skuadrën.  I referohem aspektit të sulmit dhe ky repart të bëjë atë që di të bëjë më mirë.

Nuk pësuat me Luftëtarin, që ka sulm me kualitet, a ju bën kjo që të konfirmoni të njëjtën mënyrë….

Skuadra nuk do të ketë ndryshime. E nis ai ekip që luajti me Luftëtarin. Kemi stol të pasur, kemi vështirësi për të zgjedhur 18 lojtarët e jo më për ata që do luajnë në pjesë të dytë. Lojtarët e gatshëm do japin maksimumin, siç bënë ndeshjen e fundit.

Dihet emri i Çanit, apo i Abdurrahmanit, Kalarit, Culum , Sulejmani, Kalari, që formojnë gjithë skuadrën. E rëndësishme është të funksionoje dyshja Batha-Mala, që janë frymëmarrja e skuadrës. Me Luftëtarin kanë bërë një ndeshje të mrekullueshme.

Kur parashikohet të luajnë me minuta të plota Fejzullahi apo Çani?

Fejzullahu është në fazë riaftësimi, nuk është akoma gati për ndeshje. Do luajë me skuadrën B ku do të marrë disa minuta. Më pas do shohim në të ardhmen se si do të shkojë. Po stërvitet mirë, por akoma nuk është në gjendjen e tij më të mirë.

Europa është një pikë larg, a besoni se mund t’ia dilni?

Prandaj e pranova këtë ftesë të presidentit, pasi skuadra ka shumë për të dhënë. Gjithçka është në dorën tonë. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Duhet të bëjmë maksimumin ta arrijmë, për të shpëtuar sezonin.

Ndaj Luftëtarit keni bërë presing lart. Duke parë ngjeshjen e kampionatit dhe lodhjen e lojtarëve, mendoni se mund ta bëni të njëjtën gjë edhe ndaj Vllaznisë?

Është një ndeshje krejt tjetër sepse është një transfertë. Fusha e Vllaznisë ta jep mundësinë të bësh një gjë të tillë. Do e shohim gjatë ndeshjes se si ecën skuadra. Do luajmë në sulm për t’i imponuar kundërshtarit lojën tonë.

Drejtori Rama ka thënë se ju kanë zgjedhur në krye të stolit për të ndryshuar mënyrën e stërvitjes së skuadrës. Çfarë do ndryshojë te Partizani? 

Kur kemi punuar me Starovën kemi pasur një mendim me të. Unë kam mendimet e mia dhe duhet kohë, nuk mund të realizohet sot për nesër.  Do shikoni në vazhdim një ekip që do reagojë ndryshe, sidomos në repartin e sulmit.

Starova thënë që ndihet i fyer se i keni zënë vedin. Keni ndonjë koment për këtë?

Jo nuk e ka thënë kështu. E keni kuptuar gabim. Mos ka thënë diçka tjetër. Unë nuk e kam dëgjuar. Do thoja që për profesor Starovën, është kënaqësi që në largimin e tij ka lënë një person që ka punuar prej vitesh dhe ndërrimi ishte brenda familjes.

Edhe idetë e tij që i kam marrë do t’i hedh në praktikë. Suksesi nëse është i imi, do jetë edhe i atij, pasi kemi punuar shumë vite bashkë.

Ktheheni në Shkodër me një status tjetër, ku keni luajtur si lojtar, tani si trajner. Si ndiheni?

Është kënaqësi e veçantë. Është një ambient që e dashuron futbollin. Kam kaluar një vit të mrekullueshëm si lojtar. Tani do jemi kundërshtar. Uroj që lojtarët të bëjnë atë që u është kërkuar. Impenjimin nuk e vë në diskutim që do të jetë maksimal.

Gjeni dy “ish”-ë si Sukaj dhe Malota…

E thashë edhe në fillim, që kanë bërë blerje të mira, siç është Sukaj dhe Malota i cili ka plotësuar një boshllëk në mbrojtjen e tyre. I kemi marrë parasysh vështirësitë dhe shkojmë me besim në Shkodër për të fituar.