Dita e Verës. Ja si e shpjegonte Faik Konica para 100 viteve…

“Dita e Verës” është shumë e lashtë për nga koha dhe mënyra e kremtimit. Është festë pagane, jo fetare, që rrjedh nga lashtësia. Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte.

Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

Ja si shkruante me stilin e tij elegant, 100 vite më parë Faik Konica.  

Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shelgjevet.

Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës.

Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë “.