‘Dogana pa letra’/ Ja ç’thotë drejtori i Procedurave Doganore

Në kuadër të reformës për lehtësimin e shërbimeve si për qytetarët, ashtu edhe për sipërmarrjen, përdorimi i sistemeve të reja elektronike dhe përmirësimi i atyre ekzistuese duke qenë një nga objektivat kryesore të administratës doganore, tashmë është edhe një detyrim i legjislacionit doganor.

Për këtë është miratuar dhe një plan i posaçëm nga Ministri i Financave, realizimi i të cilit do sjellë krahas përafrimit të legjislacionit me atë europian, edhe përafrimin e procedurave doganore që lidhen me lehtësitë dhe thjeshtimet.

Në një intervistë për ATSH-në, Drejtori i Procedurave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD), Saimir Sinani shprehet se ndryshimet e fundit për dixhitalizimin e sistemit janë të lidhura me reformën e derregullimit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe vënien në funksionim të nënshkrimit elektronik

Përparësitë që rrjedhin nga këto risi, thotë ai, lidhen me aplikimin dhe miratimin në rrugë elektronike (on-line) të një sërë autorizimesh e licencash që duhet të lëshohen nga autoritetet doganore.

Aktualisht operatorët ekonomikë apo përfaqësuesit e tyre mund të aplikojnë në kohë reale (on-line) për disa nga regjimet e posaçme si dhe për procedura që lidhen me pullat e akcizës.

Nënshkrimi elektronik, sipas Sinanit, ashtu si në rastin e aplikimit on-line është elementi kryesor i deklarimit on-line dhe që i paraprin procesit të gjerë dhe shumë të rëndësishëm të “doganës pa letra”.

“Në këtë kuadër, objektivi ynë është që deri me 15 mars të fillojë funksionimi i nënshkrimit elektronik, deri me 30 qershor do të operohet me deklarimin në rrugë elektronike edhe në rrugë shkresore dhe pas 30 qershorit vetëm me deklarim on-line (pa letër)”, deklaroi zyrtari i DPD-së.

Si për aplikimet ashtu dhe për deklarimin on-line nëpërmjet nënshkrimit elektronik synohet ulje e ndjeshme e kohës dhe kostove për individët dhe operatorët ekonomikë.
Po ashtu, ky sistem vuri në dukje Sinani, mban operatorët ekonomikë larg sportelit të doganës me qëllim minimizimin e mundësive korruptive.

Drejtori i Procedurave pranë DPT-së, foli edhe për zhdoganimin e centralizuar.

“Zhdoganimi i centralizuar është një sistem që i mundëson vendeve me territor doganor të vogël përqendrimin e procedurave të vlerësimit doganor në një zyrë të vetme në qendër, nisur nga fakti që sistemi elektronik mundëson verifikimin e deklarimit në doganë pavarësisht zyrës në të cilën është depozituar deklarata doganore”, tha ai.

Nëpërmjet përdorimit të këtij sistemi, sipas Sinanit, synohet përdorimi i saktë, unifikimi dhe standardizimi i metodologjisë së vlerësimit, duke shmangur dukurinë e deritanishme që lidhet me vlerësime të ndryshme në zyra të ndryshme doganore për mallra të njëjtë.
Po ashtu, sjell minimizimin e subjektivizmit dhe mundësive korruptive në vlerësimin doganor nëpërmjet mbajtjes së operatorëve ekonomikë larg sportelit të doganës.
“Në funksion të skemës në fjalë janë vënia në funksionim i kanalit ‘BLU’ i përzgjedhjes për kontroll dhe sektori i kontrollit aposterior (pas zhdoganimit) operativ”, deklaroi Sinani

Për realizimin e kësaj skeme (sistemi) të vlerësimit në qendër, ai bëri të ditur se nga ana e stafit teknik të drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, është bërë një punë kolosale studimore gati 8 mujore dhe është parashikuar çdo aspekt teknik, në mënyrë që skema të jetë sa më funksionale dhe t’i shërbejë më së miri qëllimit për të cilin është ndërtuar. /ATSH