Duke ëndërruar për t’u bërë ‘lokomotivë’ e Evropës, po ngelemi ‘vagoni i fundit’ i Rajonit

Nga Igli Tola

Më ndodh shpesh, mos të them përditë kur iki për në universitet të kaloj nga stadiumi i ri që po ndërtohet, ‘Arena Kombëtare’.  Një stadium modern absolutisht i nevojshëm, madje i munguar prej vitesh për kryeqytetin tonë.

Duke qenë se ndërtimi dhe financimi  prej 50 milion eurosh është bërë plotësisht nga kompania private Alb-Star përmes skemës PPP (Partnerit Publik-Privat), ndërtuesit iu dha e drejta për të ndërtuar edhe një kullë  në stadium, afro 100 metra të lartë. Natyrshëm lind pyetja, vallë buxheti i shtetit nuk siguronte dot 50 milion euro (ndërkohë në këtë shumë llogaritet edhe ndërtimi i kullës), kur vetëm nga auditimi i fundit bërë ndërtimit të aksit Tiranë-Elbasan rezultoi një dëm ekonomik prej 53 milion eurosh?

Nuk do të ishte më e udhës që kryeqytetit mos ti shtohej në ansamblin e katrahurës urbanistike, një stadium me kullë, që të sjell imazhin e ereksionit mashkullor?

Mos të shkojmë larg në hapësirë dhe kohë, të sjellim në kujtesë  finalen e Superkupës së UEFA Champions League, mes Realit të Madridit dhe Manchester United, që u zhvillua më 8 gusht të vitit të kalaur në stadiumin “Filipi II”, të Shkupit. Për tu larguar paksa nga eventet dhe infrastuktura sportive dhe për ta parë situatën në rang makro, na shfaqen si  ‘mirazhe’ deklaratat bombastike të Tiranës zyrtare ndër vite. Deklarata cinike, që shpesh ngjanin komike, sipas të cilave ndonjëherë bëheshim gati të ‘parakalonim’ lokomotivën e BE-së, Gjermaninë dhe në raste të tjera ‘shndërroheshim’ në faktor stabiliteti në Rajon.

Ndërkohë, teksa shtetarët tanë ishin të impenjuar duke bërë ‘Replay’ në çdo situatë të mundshme,  këto ‘shashka propagandistike’ fqinjët tanë, veçanërisht ata lindor, duket se nuk ua ‘vinin’ veshin shumë deklaratave ‘delirante’ të liderve tanë. Mbase u dukeshin haluçinante apo fantastiko-politike, ndaj filluan të mos humbisnin kohë me ne, por ndërmorrën një reformim të thellë të sektorit ekonomik, nën asistencën e BE-së.

E për të parë progresin e realizuar nga FYROM (Maqedonia) mjafton të japin disa raporte dhe tregues elementar makroekonomik. Së pari, fokusohemi në sektorin bujqësor që është ndër kontrobutorërt kryesor në GDP e dy vendeve. Qeveria maqedonase mbështetet në politikën e subvensioneve. Sipas, Ministrit të Bujqësisë Lupço Nikolovski, rreth 165 milionë euro është buxheti për bujqësinë për vitin 2018. Shumica e këtyre fondeve, pra më shumë se 136 milionë euro janë ndarë për mbështetje të drejtpërdrejt bujqësore dmth subvencione shtetërore. Ndërkohë, shteti ynë këtë vit mendohet se do të arrij për herë të parë shifrën 20 milion euro (AZHBR do të ofroj 2,6 miliard lek për fermerët, agro-përpunuesit, rritjen e eksporteve, çeljen e tregjeve të reja dhe rritjen e të ardhurave për zonat rurale). Po, ashtu fqinjët tsnë kanë një sistem bujqësor të automatizuar, që u mundëson një rendiment më të lartë në prodhimtari edhe pse sipërfaqen e punueshme e kanë pak më të vogël se ne. Ndërkohë, që në Maqedoni ka afro 5400 traktorë dhe makineri të tjera bujqësore, në Shqipëri qarkullojnë jo më shumë se 8200 të tillë. Shifra shumë të largëta, që derivojnë më pas në diferenca po kaq të mëdha në nivelin e eksporteve (me natyrë kryesisht bujqësore). Maqedonia pë vitin 2016 realizoi 3.98 miliard dollar eksporte, duke përmirësuar dukshëm bilancin e saj tregtar, kurse Shqipëria nuk e kaloi nivelin prej 1.2 miliard, sipas INSTAT.

Po, ashtu shteti maqedonas pavarësisht problematikave që ka pasur me qeverisjen autokratike të ish-kryeministri Gruevski, ishte një vend atraktiv pët investitorët. Politikat fiskale lehtësuese dhe stabël, bën që vetëm në tremujorin e fundit të 2017, të hynin 178,1 milion euro IHD (Investime të Huaja Direkte).Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, z. Kreshnik Bekteshi gjatë prezantimit të ligjit për zonat e lira ekonomike deklaroi se: “Për dy muaj, me zero para të shpenzuara, kemi nënshkruar tetë marrëveshje për investime të reja me mbi 75 milion euro dhe kemi siguruar mbi 1.500 vende të reja të punës”.

Po të bëjmë një krahasim në vlera nominale shohim se ndërkohë që vendi ynë ka TVSH standarte prej 20% (ku përjashtm bëjnë vetëm shërbimet e hotelerisë), në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhe një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve si dhe transporti dhe akomodimi.

E njëjta situatë pasqyrohet edhe në Taksat mbi Korporatat, ku vetëm vendi ynë dhe Serbia ndërmorrën një rritje të saj në nivelin 15%, ndërkohë Maqedonia për të rruajtur konkurrueshmërinë qëndroi në nivelin 10%.  Sikur mos të mjaftonte, barra e lartë tatimore si ndaj individëve dhe korporatave, Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të kontributeve të sigurimeve shoqërore në rajon, ajo ka dhë të ardhurat më të ulëta në buxhet, ç’ka nënkupton që te kjo taksë kryhet dhe evazioni më i lartë. Taksa e punës sjell sot në buxhetin shqiptar të ardhura në nivelin e rreth 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërkohë që mesatarja rajonale është 8-10% e PBB-së më e lartë.

Po për dreq, fqinjët tanë gëzojnë një mirëqenie më të lartë se tonën edhe pse s’kanë resurset tona. Pagesa minimale për orë pune e tyre është 1,03 $ ndërsa tek ne 0,87 $. Megjithatë, edhe pse paguhemi më pak, shpenzimet utilitare për jetesë i kemi ku e ku më të larta. Nëse, një banesë 2+1 në Maqedoni mund ta sigurosh me një qira mesatare prej 241 dollarësh, në shtetin tonë të nevojiten minimalisht 80 dollar më shumë (ekzaktësisht 323,5 dollar). Pra me pak fjalë, paguhemi më pak, shpenzojmë më shumë dhe shumica ankohen se mezi ‘shtyjnë’ muajin. Kjo, është tabloja e standartit jetësor me të cilin përballemi.

Kjo ishte thjeshtë një analizë e shpejtë dhe sipërfaqësore, pasi po të hyjmë më thellë në përshtjellim realiteti është goxha më i trishtë. Shpëtimi i vetëm i yni është të kuptojmë kapacitetin që zotërojmë dhe të ndalojmë së ‘ëndërruari’ me sy hapur. Lutja me sytë nga qielli, që Europa do të hedhi vështrimin nga ne dhe të na pranojë në ‘gjirin’ e saj. Zgjidhjet ‘ Deux ex Machine’ gjejnë vend vetëm në letërsi (edhe pse pranimi ynë në NATO me përkrahjen e ShBA-ve, pa pasur ‘de facto’ një ushtri të mirëfilltë funksionale mund të cilësohet e tillë.)