Epidemia e fruthit/ Pas fëmijëve, shtohet numri i të rriturve

Përpos fëmijëve, edhe më e rëndë bëhet situata pas rasteve të të rriturve, nga epidemia e fruthit. Në Shërbimin infektiv në QSUT, çdo ditë paraqiten mesatarisht 7 raste me simptoma të fruthit, ku një pjesë e tyre rezultojnë pozitiv. “Vetëm këto dy javë, në mars kemi pasur 50 raste me simptoma të fruthit”, është shprehur doktor Arjan Harxhi, për “Top Channel”.

Mjekët thonë se këto janë raste që ose nuk e kanë bërë vaksinën, ose nuk kanë kirjuar antitrupa mjaftueshëm, ç’ka bën që kur bie në kontakt me virusin, të infektohen. Aktualisht ka vetëm 7 raste të rënda, të shtruar në Infektiv.

“Janë me pneumoni, po shyqyr nuk ka pasur raste me encefalit”, thotë dr. Harxhi.

Numri i rasteve të prekur gjithsej ka mbërritur në 271, ku shumicën e përbëjnë fëmijët nën 1-vjeç. Rastet jo të rënda të infektuar me fruth kthehen në shtëpi, duke u këshilluar nga mjekët, që të izolohen në mënyrë që të mos infektojnë familjarët e tjerë.