Ish-kreu i gjyqtarëve: Shulku ndërhyn tek arbitrat, Meta vegël…

Arsen Hoxha, ish-shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, ka lëshuar akuza të ashpra kundër gjyqtarëve të cilët kanë gabuar në këtë sezon në Superiore, ndërsa ka bindjen se ata kontrollohen plotësisht nga Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka treguar se Meta ishte dënuar me 10 javë për një 11-metërsh të dyshimtë kur Hoxha drejtonte sektorin e arbitrimit, por tani është kthyer në një gjyqtar që nuk ndëshkohet, pasi kontrollohet plotësisht nga drejtuesit e FSHF-së.

“Pjesa më e rëndësishme e arrogancës në futbollin tonë ka qenë arroganca e arbitrave, të cilët në mënyrë demonstrative e kanë përdorur të drejtën arbitrare jashtë çdo kriteri profesional të gjykimit.

Ata kanë qenë shpërfillës ndaj interesave të sportdashësve, sportistëve dhe drejtuesve të tyre. Arbitri Kridens Meta mund të merret pa dyshim si përfaqësuesi më i zellshëm i këtij grupi arbitrash, që me arrogancë përdorin standarde të ndryshme gjykimi, jo vetëm në ndeshje të ndryshme, por edhe brenda së njëjtës.

Sepse ai s’e ka për asgjë që t’i kthejë kurrizin ngjarjeve që nuk i interesojnë të shohë. Koha e këtyre arbitrave ka ikur, është më mirë të aktivizohen me kurajë arbitra të rinj dhe me shpresë se do të ruajnë dinjitetin e tyre moral dhe profesional se sa të bëhen vegla në duart e shefave apo të interesave të tyre të vogla.

Ne e kuptojmë se Antarët e Komisionit të Vlerësimit dhe Meritës e kanë shumë të vështirë të ndëshkojnë arbitrat, që me vetëdije gabojnë, përballë kërkesës së sekretarit të FSHF-së, kur ai u thotë: ‘ Mos i ndëshkoni se kanë pasur porosi nga ne’, apo Komisioni i Caktimit të Arbitrave që detyrohen të humbasin pavarësinë në caktimin e tyre”, – janë fjalët e Hoxhës.