Kapela Sistinë “tregohet” nga Sting dhe Favino

 “Dies Irae”, varianti i orkestruar dhe  i interpretuar në latinisht nga Sting dhe Pierfrancesço Favino do t’i japin zë veprës së Mikelanxhelos.  Kapela Sistinë do të shfaqet sikurse kurrë më parë në koncertin 9 milionë eurosh që do të vihet në skenë për të parën herë të enjten e 15 marsit në  Auditorium Conciliazione në Romë.

Prapaskenat e provave të kësaj pjese muzikore të aranxhuar nga Sting janë xhiruar dhe postuar në Facebook si një anteprima të premierës. I pagëzuar me titullin “Drejtesia Universale, Mikelanxhelo dhe sekretet e kapelës Sistinë” shfaqja ka për qëllim të tregojë gjenezën e një kryevepre botërore  si dhe të çel mjediset e Kapelës për një audiencë të re.

“E gjithë kjo bëhet për t’i dhënë jehonë  dhe për të promovuar më tej trashëgiminë tonë artistike. – thotë Pierfrancesco Favino – jo vetëm që mendoj se diçka e tillë duhet të bëhet, por kur është  mundësia  për të marrë pjesë, unë jam i lumtur ta bëj këtë” shprehet ai.

Drejtimi i shfaqjes i është besuar Marco Balich, i njohur tashmë për pershtypjen e mirë që la tek spektatorët në ceremonitë respektive të hapjes së Lojërave Olimpike në Rio dhe atyre Dimërore në Torino. Shfaqja aktualisht është planifikuar për t’u organizuar për të parën herë këtë vit, por ideja është që kjo shfaqje të shëndrrohet në një traditë të përvitshme.