Kontratat e lobimit/ Nishani: Stisje për t’i ikur problemeve me drogën e korrupsionin

Ish-presidenti Bujar Nishani, e ka cilësuar si stisje artificiale dyshimet e ngritura nga revista amerikane “Mother Jones”, se kompani ruse kanë financuar për lobim për PD-në në SHBA, për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe krijimin e trazirave në Ballkan. Në një intervistë për “Tv Klan” mbi këtë çështje, Nishani e justifikon këtë lëvizje që qeveria bën, për t’iu shmangur problemeve si varfëria, trafiku i drogës, korrupsioni, etj.

“Është stisje e debatit politik që qeveria kërkon të krijojë një kauzë të re, për t’i ikur problemeve si varfëria, azili i shqiptarëve, shkatërrimi i institucioneve, trafiku i drogës nga ai i kanabisit tek ai kokainës, dhe korrupsioni. Është një kauzë që nuk ngjit, sepse Partia Demokratike është lindur për të sjellë produkte pro-euroatlantiste, deri në aktin më madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Vetë z. Basha, kryenegociatori diplomatik i procesit”.

Ish-presidenti thotë se lobimi nuk është një fenomen i ri për partitë politike shqiptare dhe si një mekanizëm ligjor, të dikton bërjen e transparencës, proces që ai thotë se Partia Demokratike e ka bërë.

“Dokumentet që janë depozituar, komunikimi që është kryer, i krijon të gjitha hapësirat për të pasur transparencë. Patjetër që këtë PD dhe zyrtarët e saj duhet ta përsërisin”.