Kosova zgjodhi humbësin Challandes dhe jo fituesin De Biasi

Federata e Futbollit të Kosovës, më 2 mars, prezantoi trajnerin e ri, zviceranin Bernard Challandes, që zëvendësoi kështu Albert Bunjakin, që u larguar në muajin tetor të vitit të kaluar.

Ndonëse u lakuan shumë emra të njohur, disa edhe shumë prestigjozë, drejtuesit e federatës me në krye kryetarin Fadil Vokrri bënë një zgjedhje krejt tjetër. Madje ata nuk preferuan edhe Gianni De Biasin, një trajner i sprovuar dhe njohës mjaft i mirë i mentalitetit, temperamentit dhe futbollit shqiptar.

Në fakt, duket paksa e habitshme zgjedhja e një trajneri jo me shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare dhe lënien jashtë të kandidatëve më të mirë. Më saktë, nëse krahasojmë Challandes me De Biasin, diferencat janë të mëdha.

Theksojmë këtu se nuk ka ndikuar aspak ana financiare, pasi trajneri italian e kishte shprehur edhe më parë se i di kapacitetet e FFK-së, por njëkohësisht edhe potencialin e shumë futbollistëve kosovarë.

Zvicerani Challandes, si futbollist, ka luajtur vetëm në Zvicër me ekipe inferiore, duke mos lënë aspak gjurmë. Si trajner, kulmi i tij në futbollin vendas ishte drejtimi i Zurich dhe Yong Boys, ndërsa në arenën ndërkombëtare ai ka drejtuar vetëm kombëtaren e Armenisë.

Ndërsa De Biasi, qoftë si futbollist, qoftë si trajner, ka qenë në elitën e futbollit italian, duke luajtur e drejtuar ekipe të Serie A apo të La Liga. Nuk po i përmendim të gjitha, po nuk mund të krahasohet Zurich me Torinon apo Young Boys me Udinese-n.

Në rang kombëtaresh, akoma më keq për Challandes. Shqipëria fitoi 2-1 në “Elbasan Arena” me përmbysje ndaj Armenisë, pjesë e së cilës ishte edhe ylli Mkhitaryan. Fill pas atij takimi, Challandes u shkarkua. Ndërsa De Biasi vijoi rrugën e suksesit, duke shkuar deri në finale të “Euro 2016”.

Mjafton ky krahasim, për të thënë se Kosova zgjodhi humbësin si trajner dhe jo fituesin. Për më tepër, kur ishin persona me shumë influencë në Kosovë që mbështetën figurën e De Biasit. Kujtojmë që Ministri i Jashtëm dhe Zv.Kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, e përkrahu kandidaturën e ish-trajnerit të Shqipërisë.

Të kenë ndikuar vallë marrëdhëniet mes Vokrrit e Dukës dhe kryetari i FFK-së ka menduar se De Biasi është njeri i kreut të FSHF-së? Edhe kjo nuk qëndron, sepse me De Biasin, Vokrri do të afronte edhe ndonjë futbollist të Shqipërisë që nuk i është dhënë mundësia tek ekipi kuqezi.

Siç duket, në federatën kosovare ka lobuar fort klani zviceran. Challandes, duke pasur shumë njohje në Zvicër, me futbollistët kosovarë, qofshin edhe ata që luajnë për kombëtaren helvete, ka arritur të gënjejë Vokrrin, i cili është shfaqur i dobët në përzgjedhjen e seleksionuesit të ri.

“Nuk jam Mourinho e as Guardiola, por do të punoj për ta çuar Kosovën përpara” – ishin ndër të tjera fjalët e trajnerit Challandes gjatë prezantimit. Objektiv është ta çosh Kosovën përpara? Minimalisht, trajneri i ri nuk tregoi as synimin që ka në Ligën e Kombeve, ku Kosova është në një grup me Ishujt Faroe, Azerbajxhanin dhe Maltën.

Me siguri De Biasi do të kishte kërkuar vendin e parë në grup, nisur edhe nga ambiciet maksimale të tija. Edhe sa i përket moshës, duket se federata kosovare dhe Vokrri nuk janë treguar të kohës. Challandes po shkon 67 vjeç, ndërsa De Biasi është 61. Tendenca e gjitha federatave apo klubeve është sa më të rinj në moshë, ndërsa Kosova preferon të vjetër.

Gjithsesi, koha do të tregojë më mirë. Për momentin Kosova ka zgjedhur një trajner humbës, të shohim nëse ai do të bëhet një fitues. Ndërsa De Biasi është fitues për shqiptarët edhe duke mos drejtuar më…