Kryemadhi tregon telefonatën me Bashën: Problemi më i madh…

Ndërsa takimet publike mes tyre janë bërë pak më të shpeshta, të shumtë ishin ata që shkruanin një ditë më parë se kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi “po i shkelte sërish syrin” kryeministrit Edi Rama teksa bënte ftesë për bashkëpunim.

E ftuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, zonja Kryemadhi sqaroi se marrëdhëniet e LSI dhe PD, apo komunikimi mes saj dhe Bashës vijon të jetë si më parë.

Ajo u shpreh se nuk e sheh kurrësesi komunikimin e tyre sikur njëri të ishte vartësi i tjetrit.

“Unë nuk jam vartësja e zotit Basha. Secili prej nesh ruan integritetin e partisë së tij. Askush prej nesh nuk mund të sillet si vasal. Kjo nuk është marrëdhënia jonë”,- tha Kryemadhi.

E sa për mungesat e daljeve në publik, Kryemadhi tha se ishte së bashku me Bashën e Berishën në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Ishim bashkë, ishim ulur afër edhe në Parlament. Biseduam për shumë gjëra. Ju kujtoj që bashkëpunimi mes partive nuk janë kafet që pihen në zyrë, bashkëpunimi në terren, në bazë. Ajo që unë mendoj se është e rëndësishme është se çdo kenë shqiptarët për të ngrenë nesër”,- tha Kryemadhi.

Numri një i LSI-së nuk nguroi të tregojë se vetëm një ditë më parë ka biseduar në telefon me aleatin e saj politik, Lulzim Bashën, ndërsa shtoi se problemi më i madh që kanë ata të dy është i përbashkët dhe quhet: Varfëri.

“Problemin nuk e kemi tek takimet apo bisedat. Problemi më i madh është që duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët për varfërinë, nga e cila përfiton krimi, e droga më pas”,- shtoi Kryemqadhi, raporton “BalkanWeb”.