Kur Shqipëria lufton me Rusinë…sa Italia

Vendimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë për t’u solidarizuar me Britaninë e Madhe për Rastin Salisbury ka krijuar mëdyshje për motivet që Shqipëria të pozicionohet në mënyrë krejt të pazakontë për jetën diplomatike të një shteti të vogël si i yni. Për të kuptuar motivet, do të duhet fillimisht të saktësojmë kontekstin.

Është krejtësisht e qartë që Britania e Madhe, në përpjekje për të gjetur akte dhe veprime, të cilat do të konsideroheshin, sipas praktikës diplomatike, ekuivalente me atë çka supozohet të mbajë autorësinë e rusëve ( tentativën për të helmuar një ish-oficer rus të shërbimeve inteligjente dhe vajzën e tij,) ka kërkuar ndihmën e aleatëve. Në kësi rastesh unanimiteti vlen më shumë sesa cilësia e të solidarizuarve. Largimi i 23 diplomatëve rusë nga territori i saj nuk ka mjaftuar, madje mediat ruse u tallën duke e quajtur të dobët reagimin anglez, ndaj Britania e Madhe kërkoi që edhe shtetet e tjera aleate të solidarizoheshin me të. Prej këtej buron edhe vendimi i qeverisë shqiptare për t’u rreshtuar në krah të 21 vendeve anëtare të NATO-s, shumica prej të cilave edhe anëtare të BE-së, ndonëse jo të gjithë u rreshtuan. Natyrisht që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pjesën e luanit në këtë reagim të unifikuar, pasi kanë dhe numrin më të lartë të diplomatëve të dëbuar, plot 60.

Në këtë mes, Shqipëria vendos të largojë dy diplomatë, një numër që duhet theksuar është relativisht i lartë dhe i krahasueshëm me vende të tjera anëtare të NATO-s më të mëdhenj sesa Shqipëria. Në listën e gjatë të atyre që u janë përgjigjur thirrjes duke larguar 2 diplomatë janë vende si Holanda, Danimarka, Italia dhe Spanja. Ndaj përzgjedhja e numrit 2 nuk është një rastësi. Kaq i madh sa është nuk është simbolik. Ai synon të dëshmojë qëndrimin në krah të Britanisë së Madhe, Aleancës por dhe  të largojë ata diplomatë të cilët janë sinjalizuar realisht prej shërbimeve të huaja për spiunazh në vendin tonë. Me këtë veprim, qeveria shqiptare i është përgjigjur një vendimi të Bashkësisë Perëndimore, por duket se është koordinuar me ta edhe në identifikimin e diplomatëve që do të duhet të largoheshin. Si rrjedhojë e këtij koordinimi u vendos largimi i sekretarit të parë të Ambasadës Ruse si dhe atasheut ushtarak, me pretendimin për veprimtari të papërputhshme me misionin e tyre në territorin e vendit tonë. Sipas rusëve, madje e teproi, sepse në kundërshtim me praktikën diplomatike i bëri publike emrat e të larguarve, që kanë afat një javë deri sa të largohen.

Por lë të ndalemi pak tek konteksti i marrëdhënieve shqiptaro-ruse. Përzgjedhja e 2 diplomatëve rusë, sa Italia, etj, për t’u larguar nga Shqipëria synon të dëshmojë vendosmërinë e qeverisë shqiptare. Kjo sepse numri dy është i lartë për një mision diplomatik të kufizuar, sikurse ai rus, i vendosur në Tiranë. Por duke llogaritur reciprocitetin në reagimin rus, është numër absolutisht i madh për një përfaqësi diplomatike shqiptare në Moskë- akoma edhe më modeste, prej 4 diplomatësh. Pra, në zgjedhjen e numrit 2 është llogaritur eventualisht edhe reciprociteti i një përgjigjeje ruse, e cila mund të vendosë një largim të ngjashëm të 2 diplomatëve, por pa cenuar mbajtjen hapur të zyrës diplomatike shqiptare në Moskë. Me një fjalë, marrëdhëniet diplomatike do të ruhen, ndonëse në nivel minimal. Në këtë zgjedhje, me gjasë si thamë më lart, kanë influencuar edhe konsideratat identifikuese të këtyre dy diplomatëve. Kështu,  bën përshtypje veçanërisht ekzistenca e një atasheu ushtarak në ambasadën ruse në Tiranë, ndërkohë që Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, nuk ka marrëdhënie ushtarake me Rusinë, me përjashtim të kallashnikovit me të cilin është pajisur ushtria shqiptare. Duhet theksuar se në tërësi ushtria shqiptare nuk përdor më armatime ruse, ndaj dhe i vetmi aspekt që mund të mbante lidhur ushtarakisht këto dy vende nuk ekziston. Ndaj vendosja e gishtit tek atasheu ushtarak rus ngjan si zgjidhje e drejtë.
Rreshtimi i Shqipërisë në krah të bashkësisë perëndimore ështe një kërkesë jo vetëm e NATO-s, por që i vjen vendit tonë prej çeljes së negociatave me BE-në. Ndonëse arsyetimi i vendimit për të larguar diplomatët rusë nuk vjen mirëfilli nga statusi si vend anëtar i BE-së, por vjen kryesisht nga qenia si pjesë e NATO-s. Megjithatë kjo nuk i zhbën pikët që Shqipëria i shton vetes me këtë vendim në prag të raport-progresit dhe vendimit që institucionet e BE-së do të marrin për çeljen e negociatave me vendin tonë. Sikurse është bërë e ditur, Shqipëria në drejtim të rreshtimit krah  politikës së jashtme të Bashkimit Evropian ka 100/100 pikë të mundshme. Vendi ynë është solidarizuar veçanërisht përkundrejt Rusisë, duke adoptuar qëndrim të njëjtë me BE-në. Pikë të cilat, mes fqinjëve, Serbia nuk i ka. Krejt ndryshe nga Shqipëria, qeveria serbe nuk është rreshtuar me politikën e BE-së, pa drojën që kjo mund t’i kushtojë në marrëdhënie me Unionin. Paradoksalisht, ky mosrreshtim është shndërruar në një pikë të fortë për Serbinë, pasi frika që BE-ja ka, se ndoshta Serbia mund të rrëshqasë drejt Rusisë, i ka shtyrë institucionet evropiane të mbyllin sytë, duke mos i dhënë të njëjtën rëndësi të gjithë elementëve që duhet të ketë një shtet aplikant.

Dhe këtu vijmë tek Kosova. Në të njëjtën ditë kur 21 vendet, së bashku me Shqipërinë, ndërmorën dëbimin masiv të diplomatëve rusë, në Kosovë u ndalua, arrestua dhe u deportua një zyrtar i lartë serb. Xhuricit i ishte shtyrë për një ditë tjetër hyrja në territorin kosovar, por pavarësisht kësaj, ai e kishte shkelur urdhrin administrativ të autoriteteve kosovare. Episodi krijoi zhurmë dhe ndezi polemika jo thjesht ballkanike. Pikërisht si dëshmi e diferencës që ekziston midis Serbisë ( që nuk ka larguar asnjë diplomat) dhe 21 shteteve të tjera, presidenti serb Vuçiç vendosi t’i telefononte presidentit Putin. A e ka telefonuar për t’i treguar vërtet këtë diferencim apo për t’i treguar çfarë po ndodh në Kosovë- diçka e tillë nuk është bërë e ditur. Me siguri janë të dyja. Reagimi rus në ditën e parë u bë  megjithatë vetëm përmes ambasadorit të saj në Beograd, por nuk pati reagim tjetër nga Ministria e Jashtme ruse. Reagimi rus për ngjarjen e Kosovës erdhi vetëm pasi pati reagim zyrtar të Departamentit të Shtetit. E vetmja përgjigje që erdhi nga Ministria e Jashtme ruse  atë ditë, ishte ajo përmes të cilës paralajmëroheshin masa të tjera reciproke, si reagim ndaj largimit masiv të diplomatëve të saj. E nga kjo përgjigje nuk përjashtohet as Shqipëria. Këtu ka nevojë për një saktësim. Krejt ndryshe nga Kosova, dy shtetet kanë ndërtuar mbi themelin e marrëdhënieve kulturore, politike dhe ekonomike deri në vitet ’60, marrëdhënie të reja, relativisht normale që u rivendosën pas vitit 1990. Aktualisht në Rusi studiojnë në diplomaci,  etj,, përmes bursave, dhjetra të rinj shqiptarë. Megjithëse varësia shqiptare si komb, ndaj Rusisë lidhet më shumë me pranimin e Kosovës në OKB, e cila duhet të kalojë përmes konsensusit të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurisë. E Rusia ka të drejtën e vetos! Përfshirja e Rusisë në këtë vendimmarrje të rëndësishme pritet të jetë në përfundim të bisedimeve Serbi-Kosovë, zhvillim që me gjasë do të ndodhë në gjysmën e parë ose të dytë të vitit që vjen . Ajo çka dihet paraprakisht për qëndrimin rus është deklarata e bërë nga përfaqësuesi i qeverisë ruse në kohën kur nisën zyrtarisht bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në vjeshtën e 2010, se Rusia do të mbështeste çdo vendim të Beogradit në përfundim të këtyre bisedimeve. Pra dhe Kosovën e pavarur.

E parë kështu, gjithçka ka ndodhur në Shqipëri, Kosovë, etj mund të parathotë diçka edhe në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

 

Lidhje direkte me Mentor Nazarkon: kur Shqipëria lufton me Rusinë… bashkë me..

Posted by Konica.al on Tuesday, March 27, 2018