Misteret e udhëtimit të zyrtarit të lartë amerikan Mitchell në rajon

Turi ballkanik i zyrtarit të lartë amerikan, ndihmësit të Sekretarit Tillerson, që tani u largua, është në përfundim. Wess Mitchell zgjodhi të vizitonte Maqedoninë, Greqinë, Serbinë, Kosovën dhe Qipron, një përzgjedhje që nxiti ndër ne disa pandehma se nga turi i tij ishin përjashtuar qëllimisht disa shtete, me të cilat administrata kishte probleme. Përpara se të kuptohen arsyet e vizitës së tij në këtë rozë vendesh, do duhet së pari të kuptojmë se cili është profili politik i Wess Mitchell, të kuptojmë problematikën e vendeve të vizituara, dhe së treti cilat ishin mesazhet publike që ai u kujdes të përcillte në vizitën e tij të derimëtanishme.

Wess Mitchell është një politikan i ri republikan në Departamentin Amerikan të Shtetit,  si prurje e think tank-eve që janë marrë me studimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Evropën apo me ndikimin rus në Evropë. I njohur për këtë fokus të karrierës së tij të mëparshme si hulumtues, Mitchell, mik i një tjetër analisti, Janusz Bugajskit, po ashtu njohës i marrëdhënieve të SHBA-ve me Lindjen ish-Komuniste, me miqësi në Ballkan dhe Shqipëri, identifikohet prej kohësh si skifter antirus. Ai pason në këtë detyrë një tjetër skiftere antiruse, si Victoria Nulland, një emër i njohur për publikun shqiptar për shkak të përfshirjes së saj në krizën e krijuar nga opozita për vetting-un, dhe për një lloj miqësie fotografike me Bashën.

Mitchell vjen në këtë detyrë-njoftojnë mediat amerikane me një mision të mirëpërcaktuar në këtë detyrë: për të kufizuar ndikimin rus në atë që është dhe sfera e veprimit të tij si ndihmës i sekretarit të shtetit. Në këtë sferë përfshihen 50 vende të Euroazisë, marrëdhëniet midis SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së, NATO-s. Të gjitha këto dëshmojnë për një fuqi të rëndësishme të shefit të 50 ambasadorëve amerikanë në botë.

Kjo vizitë në Ballkan po ndodh në një moment kur Departamenti Amerikan i Shtetit është përfshirë nga një krizë, e cila kulmoi me largimin e beftë të Tillerson nga detyra e numrit 1 te diplomacisë amerikane në botë, edhe pse mospërputhjet në qëndrime të këtij të fundit me presidentin Trump mbi çështje të ndryshme ishin të ditura dhe publike dhe më herët. Njëra nga mospërputhjet me gjasë lidhej pikërisht me angazhimin e fortë amerikan në zona si rajoni ynë.

Është kjo një qasje e diferencuar e Departamentit Amerikan të Shtetit kundrejt Ballkanit, krejt ndryshe nga sa kishte deklaruar më herët presidenti amerikan Trump gjatë fushatës zgjedhore, i cili pati lënë të kuptohet se SHBA-të do të merren me kriza më të mëdha në në botë duke u tërhequr nga angazhime më pak të rëndësishme, ku bënte pjesë edhe Ballkani. Pikërisht në mes të kësaj “krize” ndodh edhe ky konfirmim i rolit amerikan në Ballkan. Në Ballkan, Mitchell konfirmoi vijën tradicionale të DASH për zhvillimet në rajon. Ky është një qëndrim në vazhdën e politikës së jashtme të administratës Obama, e cila nëse do mbështetemi tek mesazhet e Mitchell u konfirmua edhe më fuqishëm nga administrata e re. Kjo u duk posaçërisht në pjesën e parë të turit të Mitchell që preku Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë: kemi të bëjmë me një rol të ri amerikan, akoma dhe më të fortë se paraardhësi.

Përzgjedhja e vendeve: vende me probleme me fqinjët

Duke u fokusuar tanimë tek tipologjia e shteteve që Mitchell kishte zgjedhur si etapa të vizitës së tij ballkanike, kuptohet qartë se përzgjedhja është bërë mes atyre vendeve që reflektojnë minikriza (sipas syrit amerikan) dypalëshe. Kështu, është zgjedhur Kosova me Serbinë përfshira në një dialog në Bruksel, i cili do të duhet të përfundojë me një marrëveshje detyruese për të dyja palët – sikurse e ka imponuar dhe BE-në fund të këtij viti, maksimumi në fillim të vitit tjetër. Kjo marrëveshje do të sjellë në pranimin reciprok të ekzistencës së tyre si dy shtete, duke hequr në këtë mënyrë edhe pengesat ndaj Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Nisur nga ky kriter, jashtë vizitës janë lënë vende si Mal i Zi dhe Shqipëria që nuk kanë ndonjë problematikë as në raport me Shtetet e Bashkuara dhe as në raport me fqinjët, në veçanti kur edhe çështja e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është duke marrë rrugën e zgjidhjes.

Turi nisi me Kosovën dhe Serbinë

Por le të fokusohemi tek mesazhet që zyrtari i lartë amerikan përcolli veçanërisht gjatë qëndrimit në Kosovë dhe Serbi. Media serbe la të kuptonte se Mitchell erdhi me një plan 4-pikësh në të cilin i kërkohej Serbisë që të pranonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në këmbim të merrte kompetenca më të zgjeruara të asosacionit serb në Kosovë në fusha si shëndetësia dhe arsimi. Kur flitet për një media të kontrolluar përgjithësisht nga presidenti Vuçiç,  lajme  të filtruara apo të fabrikuara pse jo, si këto, duan t’i tregojnë opinionit publik për të ashtuquajturin presion të madh amerikan që po ushtrohet ndaj autoriteteve serbe në lidhje me ato që ai i ka përkufizuar si korniza të bisedimeve me Kosovën.

Në të vërtetë, Mitchell nuk pranoi se solli një paketë të tillë, por la të kuptohet gjatë njoftimeve për shtyp se në takimet me Thaçin, Haradinajn, Vuçiç dhe Bernabiç se është folur gjatë për bisedimet serbo-kosovare.  Ky do ishte një ndryshim në raport linjën e imponuar nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që ndërmjetësimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë ia ngarkoi Bashkimit Evropian. Ardhja e Mitchell me një paketë që do çonte në zgjidhjen e fundit linte të kuptonte se amerikanët do të zbrisnin në skenë jo më prapa evropianëve, por në vijë të parë. Paçka se kjo publikisht nuk u pohua, ajo çka ngjau interesante ishte falënderimi i serbëve ndaj amerikanëve për përfshirjen e tyre në ecurinë e dialogut. Kjo ngjau akoma më e çuditshme pse pak ditë më parë, autoritetet serbe gjatë takimit me ministrin rus të punëve të jashtme Lavrov lanë të kuptohej se nëse amerikanët do të ndërhynin si ndërmjetës, atëherë ata do të kërkonin përfshirjen e Moskës. Ndërkohë që Mitchell ishte mjaftueshëm arrogant në favor të Kosovës kur përmendi në Beograd edhe një temë të diskutueshme. Mitchell foli pro krijimit të ushtrisë në Kosovë duke u pozicionuar qartësisht në favor të Kosovës, edhe pse jo të gjitha gjërat janë ashtu si duken. Ajo çka u vu re pas këtij qendrimi amerikan, është se Vuçiç nuk tregoi nervozizmin e tij klasik për porositë që erdhën nga miku amerikan. Vizitori amerikan më i fundit ishte Brian Hoyt Lee, i mbiquajtur “Buldozeri”, që aktualisht pritet të emërohet si ambassador në Shkup: Vuçiç e shpërfaqi dhe publikisht nervozizmin e tij kundër Hoyt Yee, dhe nuk e bëri të njëjtën gjë, ndonëse Mitchell me gjasë ka qenë i një linje më të ashpër sesa Lee në këtë drejtim.

Pse amerikanët në favor të Kosovës?

Amerikanët dukshëm po përpiqen për të vënë një ekuilibër mes Kosovës dhe Serbisë, në bisedimet e Brukselit, në dukje për të favorizuar Kosovën. Kjo duket e domosdoshme, po të mbash parasysh se Kosova ka rënie të reputacionit ndërkombëtar, të mbështetjes nga aleatët, ndërkohë që Serbia ka rritje në këtë drejtim.  Kjo bëhet akoma dhe më e qartë nëse sjellim në vëmendje se vizita e Mitchell vjen në kohën kur besohej se kishte një ngrirje edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të Gjykatës Speciale. Në dhjetor të 2017-s udhëheqësit kosovarë u duk se tentuan të kalonin një ligj që shfuqizonte veprimet e Gjykatës Speciale mbi ta, duke marrë në kurriz gjithë kritikat amerikane dhe perëndimore në përgjithësi.

Ardhja e Mitchell dhe qëndrimet e tij publike inkurajojnë Kosovën për të hyrë në bisedime me Serbinë paksa më e fortë, jo vetëm në planin diplomatik. Kjo pasi në raport me Shtetet e Bashkuara Kosova ka dhe një marrëdhënie bashkëpunimi ekonomik që lidhet kryesisht me TEC-in e ri që do ndërtohet nga një kompani amerikane. Si pohohet publikisht nga Presidenti Thaçi, për këtë temë duket se është folur edhe në bisedimet e zyrtarit të lartë amerikan me autoritetet kosovare, edhe pse fokusi i takimeve kanë qenë bisedimet me Serbinë.

Ndonëse amerikanët nuk erdhën me një paketë të mirëfilltë, sërish ata kanë bërë të qartë kornizat e bisedimeve në funksion të ruajtjes së ekuilibrave në rajon. Në mbështetje të kësaj teze vlen të përmendet edhe vizita e diplomatit të lartë në Greqi dhe në Qipro. Duket se Mitchell ka dashur të qetësojë Greqinë edhe Qipron të përfshira në një krizë me Turqinë në lidhje me kërkimet për naftë, ndërsa paranoja e luftës mes armiqve tradicionalë po bëhet e zëshme. Ama Mitchell nuk shkoi në Turqi, diçka që nxit turqit të bëhen më të përmbajtur.

Në përfundim. Në një kuptim formal, duhet evidentuar fakti pozitiv se angazhimi amerikan në Ballkan nuk ka formën e tërhequr që pritej me ardhjen e Trump në pushtet, por përkundrazi. Por Mitchell nuk tha atë që propozuar kongresmeni Engel, i cili pati kërkuar një përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-ve në negociata në rolin e ndërmjetësuesit. Mitchell nuk kërkoi këtë, por gjithsesi ky angazhim cilësor amerikan është i mirëpritur, sepse i jep zemër Kosovës përballë Serbisë së llastuar sistematikisht prej perëndimit në vitet e fundit.