Paralajmërimi i ministrit grek: Turqia dhe Greqia pranë luftës, jemi të detyruar të mbrojmë territorin tonë!

Ministri grek i Mbrojtjes, ka dhënë alarmin se Turqia dhe Greqia janë pranë luftës. Ministri Panos Kamenos ka theksuar se janë shumë pranë një incidenti fatal me Turqinë.

“Jemi shumë pranë një incidenti fatal me Turqinë”. Në një intervistë dhënë për francezen “Liberation”, zyrtari i qeverisë së Athinës, foli për tensionet mes dy vendeve dhe për ato që i quajti “agresione” të Turqisë.

“Ne jemi të detyruar të mbrojmë territorin tonë, që nuk është territor vetëm i Greqisë, por është territor i Bashkimit Evropian”, tha Kamenos.

Nga ana tjetër, Ankaraja vijon të rrisë tensionet. Turqia ka vendosur së fundmi të kryejë një stërvitje ushtarake në det, në një kohë kur janë përshkallëzuar ndjeshëm marrëdhëniet me Greqinë, shkruan “abc”. Lëvizja e fundit e Ankarasë vjen në një kohë që Qipro njoftoi kompanitë e huaja për kërkime për gaz në zonën ekskluzive ekonomike në Egje. Këto stërvitje ushtarake me anije rimorkimi e pajisje nënujore, zhvillohen nga 11- 18 Mars dhe nga 22 deri më 29 Mars.

U duk sikur vizita historike e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, në Athinë më 7 Dhjetor të vitit të kaluar, hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve. Por në fakt, nuk ndodhi kështu. Pak javë pas kësaj vizite, tensionet u ndezën edhe më shumë, për të kulmuar me disa përplasje të anijeve ushtarake në Egje dhe rastin e dy ushtarëve grekë që mbahen të burgosur nga Turqia.

Greqia pretendon se ushtarët kaluan kufirin gabimisht, ndërsa ministri i Jashtëm turk deklaroi për të përjavshmen gjermane “Die Zeit”, se drejtësia turke po mundohet të kuptojë nëse ushtarët grekë e kaluan kufirin aksidentalisht apo qëllimisht.