Punësimi, Ahmetaj: Kush ndjek kurs profesional do të paguhet, ja sa

Kush del nga skema e ndihmës ekonomike dhe është i aftë për punë, do t’i ofrohet nga shteti falas ndjekja e kursit profesional dhe do të paguhet gjatë kësaj kohe 5,500 lekë në muaj.

Lajmin e mirë për familjet që dalin nga skema e ndihmës ekonomike, por edhe për ato të përfshira në skemë e dha ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ku me Kryeministrin Edi Rama zhvilluan dje një takim me personat e punësuar pas daljes nga skema e ndihmës ekonomike.

“Dua të ndaj me ju instrumentin e ri që vetë Kryeministri e ka iniciuar përpara 15 ditësh, e dua t’jua shpjegoj me fjalë të thjeshta dhe qetësisht. Instrumenti presupozon që çdo njeri, anëtar i një familjele, që sot përfiton nga ndihma ekonomike apo ka dalë nga ndihma ekonomike së fundmi, përfiton aftësim profesional falas në qendrat e formimit profesional. Madje, shteti ka këmbëngulur në atë iniciativë. Kryeministri do t’i japë 55 mijë lekë të vjetra në muaj gjatë kohës që ai riaftësohet për t’u bërë më i punë- sueshëm”, u shpreh Ahmetaj.

Kreu i Financave, Ahmetaj, shpjegoi se përveç mundësimit të kursit profesional falas, kjo kategori do të paguhet sa gjysma e pagesës së papunë- sisë.

“Pra, një anëtar i familjes, e cila përfiton ndihmë ekonomike, ne i zgjasim dorën në kuadër të Paketës së Solidaritetit dhe i themi: Tani, fatkeqësisht ti je i papunë, ajo që ne po bëjmë përtej kuadrit të madh me ty, të vijmë te familja jote, të marrim vërtet nga dora, të çojmë të të riaftësojmë që të bëhesh më i punësueshëm dhe për këtë ti do të paguhesh gjysmën e pagesës së papunësisë, pra, 55 mijë lekë nga 110 mijë lekë që merr një i papunë. Kjo nuk është e vetmja, sigurisht. Reforma vazhdon. Varfëria nuk luftohet me shtirje publike, emocione të shtirura politike. Varfëria luftohet me reforma dhe reformat që ka nisur qeveria Rama 1 dhe po i vazhdon qeveria Rama 2 shkojnë në themel të luftës kundër varfërisë”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Kryeministri Edi Rama u kërkoi përfituesve të ndihmës ekonomike që të orientohen drejt arsimit profesional.

“Drejtohuni në zyrat e punës, siç janë drejtuar ata që folën këtu përpara nesh dhe siç drejtohen shumë të tjerë dhe regjistrohuni për punë. E nëse nuk keni aftësinë për punë, pasi askush nuk ka menduar për formimin tuaj profesional, drejtohuni në qendrat e Formimit Profesional dhe merrni çdo muaj 55 mijë lekë për t’u trajnuar jo vetëm falas, por edhe duke marrë një pagesë solidariteti, që kur të riktheheni te zyrat e punës, kur të shkoni të trokisni te zyrat e ndërmarrjeve, të mos jeni thjesht të papunë që nuk dini të bëni asgjë, por të jeni të papunë që ofroni një aftësi, një dije, një vlerë për ndërmarrjen”, u shpreh Kryeministri Rama. /PANORAMA