Rikard Ljarja, jo vetëm një aktor i madh!

Besoj se nuk ka shqiptar që nuk ka parë të paktën një film në të cilin, në rol kryesor a dytësor, të jetë edhe aktori i madh Rikard Ljarja.

Rikardi lindi më 1 prill 1943 në Shkodër dhe, përveçse një aktor i madh në kinema, është i njohur edhe në artin skenik, ku debutoi qysh në rini në “Migjenin” e Shkodrës.

Në vitin 1960, ai mbaroi maturën në Shkodër, ndërsa në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu”, Tiranë,

Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga kinostudiot. Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.

Por ai nuk është vetëm një aktor me vlera të mëdha dhe i pazëvendësueshëm në skenat e televizionet shqiptare. Një pjesë tjetër e artit të tij, ndoshta jo aq e njohur sa pjesa e parë, është ajo e Rikardit shkrimtar.

Rikard Ljarja është autor i disa veprave në prozë ndër të cilat dallojnë “Në një humbëtirë diku këtej rrotull” dhe “Kohë qensh”. Letërsia e Ljarjes paraqitet moderne, krejt e veçantë dhe e pashoqe në letrat shqipe.

Duke lexuar atë, duket sikur lexon diçka që vjen krejt natyrshëm, shumë origjinale dhe me një modernitet sfidues.

Po të pyesësh vetë Rikardin se në cilën gjini mund të përfshihen veprat e tij, ai përgjigjet se nuk di çfarë të thotë.

Ai është rasti personifikues i niveleve të letërsisë së vërtetë që i bindet vetëm ligjeve të veta, atyre që e bëjnë shkrimtarin të ketë e të mbajë vetë përgjegjësitë e veta në ecurinë e zhvillimeve të kësaj bote të veçantë që krijon letërsia si arti i fjalës.

Sipas studiuesit të njohur Martin Z. Shestani, Kuotat e nalta cilësore artistike të arrituna në këtë krijimtari janë shkasi që e shtynë mendimin tonë të shfaqun kritik ta konsiderojë Rikard Ljarjen artist ma të madh në krijimtarinë letrare se sa në atë të artistit të skenës teatrore e kinematografike, ku ai pati shumë suksese.

E për ta mbyllur, në një intervistë të fundit të Marjeta Ljarjes, bashkëshortes së Rikardit, ajo është shprehur:

… krijimi i familjes është një eveniment në jetë, por që ka të bëjë edhe me fatin. Lindi një dashuri, më pas fejesa dhe martesa, role të shumtë në kinematografi dhe teatër dhe lumturia jonë u shtua kur lindën dy fëmijët, Lorena dhe Leandro. Të qenurit gjysh dhe gjyshe, është një lumturi e rrallë, që i ka shtuar gëzimin dhe harmoninë familjes tonë…