Teatrinoja italiane: Aktorë të rinj, të dirigjuar nga regjisorë të vjetër

U cilësua si një rezultat i përputhshëm me sondazhet paraprake ai që doli nga zgjedhjet parlamentare të 4 marsit në Itali. Asnjë parti, asnjë koalicion parazgjedhor, nuk ka shumicën për të krijuar qeverinë dhe kriza politike po duket në horizont ende pa u certifikuar rezultati përfundimtar i këtyre zgjedhjeve. Nga ajo çka mund të lexohet në panoramën post-elektorale në Itali shfaqet një ekuilibër i plotë i dy blloqeve ideologjike, në një vend ku dallimet ideologjike nuk kanë të njëjtën rëndësi që kanë edhe vendet e tjera. Janë disa karakteristika mbizotëruese të këtyre zgjedhjeve, disa të reja, dhe disa më të konsoliduara.

Zgjedhjet dëshmuan se metamorfoza e partive politike italiane, përgjatë gjithë spektrit nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas,  mori një formë të re, qoftë në rreshtimet e koalicioneve që fituan, qoftë edhe në rreshtimet e individualiteteve politike.

Për ta ilustruar konkretisht, mjafton t’i referohemi biografisë politike të liderëve të dy partive, që patën dhe rezultatin më të mirë elektoral, për të cilët sot po flitet shumë. Nga njëra anë 31-vjeçari Luigi di Maio i Lëvizjes “5 yjet dhe nga ana tjetër 45-vjeçari Mateo Salvini, udhëheqës i Lega-s dhe i koalicionit të qendrës së djathtë: të dy karakterizohen nga shndërrimet e befta politike, edhe nëse mbështetesh në origjinën familjare apo hapi i parë politik në karrierë.

Di Maio vjen nga jugu i Italisë, nga Avelinoja. Ai ka kaluar një seri peripecish në jetën e tij, por që jo domosdoshmërisht e skualifikojnë nga statusi që mban tani si udhëheqës partie apo nga i kryeministrit të një vendi anëtar i G7-s, vendeve më të industrializuara të botës. Gjyshi i tij ka qenë drejtues i një lëvizjeje të djathtë italiane, ndërkohë që vetë Di Maio është në krye të një prej partive të ekstremit të majtë, që aktualisht rezulton të jetë partia me numrin më të madh të votuesve në Itali, afro 32%. Lideri 31-vjeçar i M5S ka studiuar inxhinieri dhe më pas ka vijuar studimet për drejtësi.

Krahasimisht me Di Maio-n, Mateo Salvini shënon edhe kapërcimet më të rëndësishme politike në karrierën e tij. Lideri 45-vjeçar i Lega-s nuk ka mbaruar ende universitetin. Ai ka njohur një kapërcim nga mbështetja e pikëpamjeve të rinisë së majtë ekstremiste të njohura si qendrat sociale të vetëmanaxhuara të Leoncavallo-s në Milano, të cilët kërkonin rrëzimin e pushtetit me armë në Itali, ndërsa aktualisht ai ka drejtimin e Partisë rajonaliste Lega.

Figura të manovruara, të telekomanduara? Një koincidencë interesante: në votimet e brendshme secili prej tyre ka marrë një mbështetje prej 82% në kongreset partiake përkatëse, apo votimet me parimin “një anëtar, një votë”, duke dëshmuar atë që analistët e kanë perceptuar fillimisht si triumfin e liderëve populistë në Itali.  Por jo vetëm kaq: Salvini dhe Di Maio jo vetëm që ngjajnë se janë liderë populistë, por duket se janë të dirigjuar edhe nga udhëheqës me eksperiencë që për pamundësi ligjore nuk mund të rikthehen në skenë si drejtues të ekzekutivit: sikurse Beppe Grillo dhe Silvio Berlusconi. Të dy për shkak të dënimeve që kanë në ngarkim të tyre nuk mund të mbajnë detyra ekzekutive, duke u detyruar të katapultojnë në krye të lidershipit partiak, e tani në ekzekutiv, të rinj me aftësi të spikatur oratorike.

Populizmi që ka karakterizuar këto zgjedhje, ka vënë në shënjestër “emigrantët që vijnë nga jashtë”. Italia është porta kryesore hyrëse e emigrantëve nga Afrika në Evropë dhe votuesi kryesisht mbi 35 vjeç, por edhe votuesit e moshës së tretë janë ata që i frikësohen më shumë këtij fenomeni që kërcënon punën, sigurinë, etj. Kjo kategori votuesish, në dallim nga të rinjtë abstensionistë,  ishin dhe ata që zgjodhën t’i drejtoheshin kutive të votimit ndaj dhe tema në fokusin e programeve elektorale që dominoi zgjedhjet ishte ajo e frikës ndaj të huajve në vend.

Një tjetër element i përbashkët në programet politike të këtyre dy partive, Lega dhe M5S është edhe antievropeizmi, një qëndrim kundër sistemit institucional të Brukselit që kushtëzon politikat e Italisë. Populli italian identifikon si fajtorë për situatën e vet- edhe për shkak ushqyerjes që i bëhet nga retorika politike mbizotëruese, boshtin franko-gjerman që udhëheq politikat e BE-së. Kjo është një tjetër tezë e këtyre partive që duket se ka ngjitur në elektorat.

Po ashtu, të dy këto parti, apo koalicione kanë një pikë takimi të përbashkët të rëndësishme: afërsinë me Rusinë. Italia është një vend që lidh më shumë interesa me Rusinë, Perëndimin dhe Afrikën se të tjerët për shkak të pozitës gjeografike, por jo vetëm. E në rastin konkret janë të shumta kompanitë italiane kanë vuajtur pasojat e embargos së BE-së ndaj Rusisë. Zërat institucionalë rusë, për shembull, kryetari i komisionit të jashtëm në Dumën Ruse e kanë cilësuar fitoren e bllokut të qendrës së djathtë si konfirmim të prirjes panevropiane-ardhjen në pushtet të së djathtës në vendet kryesore. Sipas tij, kjo fitore do të nënkuptojë dhe një normalizim të marrëdhënieve me Rusinë dhe heqjen e embargos që ka prodhuar shumë shqetësime për Rusinë. Ai përmend edhe vizitën e kreut të Lëvizjes së pesë yjeve në 2014-n edhe në Krime, i cili pati shprehur mirëkuptimin e tij për aspiratën e popullit rusë të Krimesë për t’iu bashkuar shtetit mëmë. Pa llogaritur që duartrokitje për fitoren e qendrës së djathtë në këto zgjedhje parlamentare në Itali, Lega i mori dhe nga partitë simotra të bllokut anti-evropeiste, sikurse ajo e Le Pen-it në Francë apo e antievropeistit britanik Nigel Farage. Nuk po përmendim afërsinë e Berluskonit, i vetëquajtur regjisor në këto zgjedhje, me Putinin, me të cilin ka ndarë dhe pushimet apo festat private.

E gjitha kjo nuk habit kur bëhet fjalë për Italinë e cila është karakterizuar jo vetëm paqëndrueshmëria ekzekutive, me ndërrimin e shpeshtë të qeverive, të liderëve institucionalë, por edhe nga një politikë e jashtme me oshilacione. Gjë e cila i ka sjellë mungesën e respektit dhe nga vendet e tjera partnere.

Këto zgjedhje prodhuan një rebus për fatin politik të mëtejshëm të vendit Apenin, ashtu si dhe reflektuan dhe thellimin e ndarjes midis veriut dhe jugut. Ndarje, e cila zakonisht kapërcehet nga liderë të mëdhenj që gëzojnë popullaritet në të gjithë territorin dhe që kanë eksperiencë në politikë, por që sot i mungojnë Italisë: në forumet evropiane dhe botërore, edhe në qeveri të përkohshme Italisë do  i duhet të përfaqësohet nga  njeri prej dy djelmoshave pa eksperiencë që me gjasë në teatrinon italian të politikës manovrohen nga regjisorë të mirë. Berluskoni ngjan se ngelet i vetmi prej  liderëve të njohur botërisht i mbetur në skenë, edhe pse rreth tij në lozhat evropiane tregohen shumë mësele: njëjtë bën dhe ai në fakt me thëniet e tij anekdotike për liderët e lozhës.

Italia ngjan se nuk ka dalë ende nga tranzicioni brezor politik, dhe ideologjik, çka e bën të lëngojë ende pa shpresë në një krizë, e cila jo domosdoshmërisht i ka të gjithë faktorët përcaktues, me origjinë italiane. E kriza prodhon liderë si ata që fituan zgjedhjet… në pritje të liderëve të tjerë, apo shfaqjes së regjisorëve si aktorë.

Implikimet direkte për shqiptarët

Në këto zgjedhje morën pjesë edhe 250 mijë shqiptarë me të drejtë vote. Sipas të dhënave në listat e partive të ndryshme politike ka pasur 4 kandidatë për deputetë. Në Itali studiojnë mbi 17 mijë shqiptarë. Ky vend i madh mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë si dhe një vijimësi territoriale e kulturore e shqiptarëve që ia kanë dalë të shndërrohen në artistë të suksesshëm në vendin fqinj, sikurse rasti më i fundit ishte fitorja e Sanremos nga Ermal Meta. Pa harruar këtu dhe faktin që tashmë janë italianët që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar dhe punuar, ndryshe nga deri dje kur vendi ka qenë destinacion për shumë shqiptarë të emigruar. Italia është po ashtu avokate e mirë në gjirin e BE-së për Shqipërinë dhe Kosovën, pavarësisht orientimit pro-serb që vërehet në pjesën e majtë të politikës italiane dhe në ekstremin e saj të djathtë. Një Itali e qëndrueshme së bashku me një Turqi të qëndrueshme në krah të Shqipërisë e bëjnë atë më të fortë në plan rajonal.

Kriza italiane ndodh në një kuadër kushtetues të ngjashëm me Shqipërinë, brenda rregullave të shkruara kushtetuese të një republike parlamentare. Tashmë i takon presidentit të Italisë që ta zgjidhë këtë situatë, por jo sipas rregullave të shkruara, por sipas praktikës institucionale të një vendi demokratik prej shumë vitesh si Italia. Në dallim nga Shqipëria dhe Kosova, që kanë kopjuar kryesisht kushtetutën italiane, sipas së cilës qeverinë e formon partia apo koalicioni që kanë marrë më shumë vota, në Itali pritet që të presidenti  të konsultohet me krerët e grupeve parlamentare, me ish-presidentët, me kryetarët e dy dhomave, për të individualizuar se kush mund të formojë qeverinë e për t’i dhënë atij një paramandat. Skenarët janë të shumtë: mund të përdoret formula e qeverisjes institucionale të dy kaheve bashkë; mund të ketë një bllok të majtë të përbërë nga Lëvizja 5 yjet dhe PD; ose një koalicion i partisë së qendrës së djathtë të Legës, Forza Italia-s me “5 yjet”…

Por pavarësisht paqëndrueshmërisë që prodhuan këto zgjedhje, shfaqjeve teatrale që dolën në skenë, Italia ka dëshmuar se di t’i zgjidhë shumë mirë këto kriza institucionale.  Kostoja, ama, nuk dihet.

lidhje direkte me Mentor Nazarkon: pasojat e zgjedhjeve italiane në Shqipëri

Posted by Konica.al on Tuesday, March 6, 2018