Tramezzani mund të drejtojë një ekip në Serie B

Ish-ndihmëstrajneri i Kombëtares shqiptare, Paolo Tramezzani, duket se ka vendosur që këtë radhë të qëndrojë në Itali, ku raportohet se ka interesim për të në Serie B.

Tramezzani është në kontakt me drejtuesit e klubit të Brescia-s, një skuadër e cila nis gjithmonë sezonin me pretendime, por nuk po arrin të bëjë hapin e madh për t’u ngjitur në Serie A, pavarësisht investimeve që ka bërë.

Dy humbjet radhazi kanë afruar Brescia-n me zonën e ftohtë të klasifikimit dhe presidenti Celino po mendon seriozisht se çfarë duhet të bëjë që situata të ndryshojë, duke përfshirë edhe afrimin e një trajneri të ri.

Në ndeshjen e së hënës ndaj Novara-s, Tramezzani ishte i pranishëm në tribunë, ndaj për mediet italiane, ai është një prej kandidatëve më të mundshëm për të marrë drejtimin e këtij klubi.

Nëse do të marrë drejtimin e Brescia-s, Tramezzani do të jetë mundësi të punojë me një talent kuqezi, pikërisht Emanuele Ndojin, i grumbulluar edhe me Kombëtaren A në të kaluarën.