Xhafaj: Informova ambasadorët e BE-së për progresin e vendit. Të vendosur të ecim përpara!

Pas takimit të mbajtur me ambasadorë të vendeve të BE në Tiranë, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka reaguar përmes Twitter-it, ku e ka cilësuar si një bashkëbisedim tejet konstruktiv. Xhafaj ka njoftuar se kanë prezantuar rezultate konkrete në disa fusha, si në luftën kundër krimit të organizuar, etj. Ai shprehet i kënaqur me takimin, si edhe me progresin që Shqipëria po bën kohët e fundit nëpërmjet reformave të ndryshme.

“Prezantuam rezultate konkrete në disa fusha: si në luftën kundër krimit të organizuar në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, Antikanabisin, Menaxhimin e Kufirit, Policimit në Komunitet, Vettingun etj. Shprehëm mirënjohjen për bashkëpunimin e krijuar këto muaj pune të përbashkët”.

Ministri Xhafaj nuk e ka lënë me kaq, por ka vënë pikat mbi “i”, duke nënvizuar se janë të vendosur për të ecur përpara.

“Takimi i dytë pas 3 muajsh me të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Informova dhe iu përgjigja interesit të tyre të veçantë, për punën dhe progresin e bërë në kuadër të zbatimit të prioriteteve dhe masave për konsolidimin e shtetit ligjor”.

“Bashkëbisedim tejet konstruktiv. Jemi të emocionuar dhe të inkurajuar për vlerësimet tejet pozitive, për besimin e shprehur për MB, Policinë e Shtetit dhe Task Forcën Speciale, si dhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Jemi në rrugën e duhur. Të vendosur të ecim përpara”.