Xhafaj takohet me ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë/ Zbulohet fokusi i diskutimit

Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, aktualisht po zhvillon një takim me ambasadorë të vendeve të BE-së në Tiranë.

Takimi po zhvillohet prej 2 orësh në zyrat e BE-së në kryeqytet.

BW raporton se në fokus të diskutimit është vetting-u në polici dhe lufta ndaj krimit të organizuar.

Të 11 mijë punonjësit e Policisë së Shtetit, si dhe punonjësit e gardës e të SHÇBA do t’i nënshtrohen procesit të vetting-ut sapo ligji të hyjë në fuqi. Përveç tyre, vetting-ut mund t’i nënshtrohen me dëshirë edhe ish-punonjësit e Policisë nën moshën 55 vjeç, përfshirë edhe të shkarkuarit nga detyra, por që Gjykata u ka dhënë të drejtë, duke shfuqizuar urdhrin e shkarkimit.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të verifikojë 287 zyrtarët më të lartë të Policisë, që nga Drejtori i Përgjithshëm deri te shefat e komisariateve. Më pas, 2700 punonjës të Policisë me grada të mesme dhe 115 nga Garda, përfshi edhe repartet speciale RENEA, FNSH dhe Forcat e Posaçme Operacionale, do të kontrollohen nga Komisioni Qendror.