Zemërata e keqkuptuar e Shpëtim Nazarkos

Nga Skënder Minxhozi

Kush e njeh Shpëtim Nazarkon e di se ai flet me mendjen e vet. Të tilla janë edhe pikëpamjet e tij për atë që ka ndodhur këto 27 vjet në këtë vend, përfshirë kritikat e ashpra për mutacionet e hatashme demokratike që Shqipëria ka provuar, që nga dita kur vendosi të heqë qafe komunizmin dhe të hapet ndaj botës.

Zemërata më e fundit e Nazarkos në studion e Artur Zhejit ka të bëjë me listën e gjatë të krizave të cilat nisën të mbivendosen gradualisht në shoqërinë shqiptare qysh nga vitet ’90, e që rregullisht u harruan apo u anashkaluan, por nuk u zgjidhën kurrë.

Është shkruar shumë për piramidat financiare, shkatërrimin e tokës, ajrit, ujit dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me standartin e jetës së shqiptarit. Është shkruar edhe sesi vjedhur pasuria e krijuar deri në vitin ’90 duke u anatemuar si e pavlerë, janë prerë pyjet, zaptuar tokat bujqësore me ndërtime shpesh mizerabël e pa asnjë plan, janë helmuar lumenjtë e liqenet me plastikë, ujra të zeza dhe lloj-lloj kimikatesh të derdhura aty pa asnjë kontroll, është shkretuar vija jonë bregdetare, ndoshta pasuria më e madhe që kemi nga natyra. Më tej akoma, është folur e shkruar për faktin sesi janë populluar egërsisht grykderdhjet e lumenjve, zonat periferike të qyteteve të mëdha, duke lënë thuajse bosh krahina të tëra, ku sot sheh vetëm pleq, mace dhe qen.

Nëse kjo hukubi shqiptare do të kishte ndaluar në kufinjtë kalendarikë të shekullit të shkuar, kjo do të qe gjysma e të keqes. E dogjëm një dekadë për të mësuar si qeveriset në demokraci dhe s’po i bëjmë më të njëjtat gabime. Ja që nuk ndodhi kështu. Ja që inercia e dekadës së parë pas rënies së socializmit, vijoi thuajse e plotë edhe në dekadën e dytë. Atëhere kur klasa politike shqiptare e pluralizmit kish nisur të vinte thinjat e para, por kishte ende mendjen e mbrapshtë të viteve ’90.

Shfrytëzimi i egër i burimeve hidrike, projektet infrastrukturore të pastudiuara, ndërtimet e shfrenuara në qendra urbane dhe bregdet, vijuan edhe në kapërcyellin e mijëvjeçarit të ri, duke na lënë sot një trashëgimi prej mbi 400 mijë ndërtimesh pa leje, hidrocentralesh që na kërcënojnë lumenjtë e fundit e ujavarat apo kanionet që i kishin shpëtuar hordhive barbare të tranzicionit. Qeverisja e keqe vjen në mënyrë të pashmangshme bashkë me shkatërrimin. E dyta është pasojë direkte e të parës.

Në këtë aspekt mllefi zëlartë i kolegut Shpëtim Nazarko nuk ka asgjë që i tejkalon kufinjtë e një realiteti të vrazhdtë, ku dominon aroma e skapamentove të makinave, ndrin jeshilja e qeseve plastike që ka mbuluar gjithçka dhe buçet zëri i lartë dhe i çjerrë i politikës mashtruese. Shqipëria e sotme po krijon një borxh të frikshëm keqqeverisjeje dhe shkatërrimi, ndaj brezave të saj të ardhshëm. Shyqyr s’do të jemi gjallë e t’i dëgjojmë sesi do të na e bëjnë gjyqin. Pak ka folur Shpëtimi…