Abazaj u shit për 1.2 mln €, ja sa përfiton Skënderbeu, Luftëtari e lojtari

Siç u bë e ditur dje, sulmuesi Kristal Abazaj firmosi me klubin më të madh belg, Anderlecht. Talenti i Luftëtarit, që është në pronësi të Skënderbeut, ka zyrtarizuar kontratën 3-vjeçare me opsion rinovimi edhe për dy sezone të tjera me skuadrën rekordmene të Belgjikës.

Ka qenë vetë klubi i Anderlecht-it që ka bërë publik lajmin. “Operacioni” është mbyllur me sukses pas negociatave me ditë të tëra në Bruksel, ku enkas janë marrë drejtori sportiv i korçarëve, Haris Fakiç, si dhe agjentët Shkumbin Qormemeti dhe Elton Marini.

Një transferim surprizë, që futet në historinë e futbollit shqiptar si më i shtrenjti i të gjitha kohërave nga një skuadër e Kategorisë Superiore drejt një klubi europian.

Në total shitja e Abazajt ka shkuar 1.2 milionë euro. Kontrata fillestare është nënshkruar për 750 mijë euro, por mësohet se nëse Anderlecht fiton titullin kampion këtë sezon dhe Abazaj luan një numër të caktuar ndeshjesh në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve gjatë edicionit të ardhshëm, gjithçka kompletohet me 1.2 milionë euro.

Klubi belg do të bëjë pagesën në tre këste, duke filluar nga muaji qershor i këtij viti, kur talenti tropojan lirohet nga Luftëtari, teksa deri në fund të sezonit është dhënë në formë huazimi.

Abazaj do të përfitojë 200 mijë euro neto në vit, me një kontratë që pritet të jetë progresive, në rast se lojtari përmbush pritshmëritë.

Plot 563 mijë euro do të shkojnë për llogari të Skënderbeut, ndërsa 187 mijë euro në arkën e Luftëtarit, që ka në pronësi 25 për qind të kartonit të Abazajt.

Sulmuesi, që u grumbullua së fundmi me Kombëtaren shqiptare, luan vetëm sezonin e tij të dytë në Kategorinë Superiore dhe, pas 29 javëve kampionat, është aktualisht kryegolashënues i bluzinjve me 9 gola.

Prej një viti, ai ka qenë pjesë e padiskutueshme e Kombëtares Shpresa, derisa bindi edhe trajnerin kuqezi, Kristian Panucci.