Basha shfaq pamjet e arrestimit të kuksianëve, apel për reagim popullor

Në kohën kur Edi Paloka, përmes një prononcimi për median, shfaqi pamjet e arrestimit të kuksianëve, e tha se nuk do të ketë qetësi për Edi Ramën derisa ata të lirohen, një reagim ka patur edhe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Ai ka ndarë me ndjekësit këto pamje në profilin e tij në Facebook, ndërsa e cilëson si një krim shtetëror, kryer me ftohtësi kriminale dhe në bashkëpunim kriminal mes policisë dhe prokurorisë.

 

Basha, po ashtu ka bërë thirrje për një reagim popullor, kundër padrejtësisë ndaj kuksianëve që mbahen në burg.

“Pamjet që vërtetojnë rrëmbimin e qytetarëve kuksianë në mes të natës, dëshmojnë se arrestimet e tyre janë bërë në mënyrë të paligjshme, dhe më pas policia dhe prokuroria kanë falsifikuar në bashkëpunim me njëra-tjetrën dokumentat zyrtare.

Ky është një krim shtetëror, i kryer me ftohtësi kriminale, dhe në bashkëpunim kriminal mes policisë dhe prokurorisë!

Ky krim shtetëror tregon qartë se në Shqipëri është instaluar një polici dhe prokurori politike dhe ekstraligjore, e cila shkel dhe dhunon të drejtat kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, sepse është vënë në shërbim të regjimit të Edi Ramës.

Misioni i këtyre institucioneve të kapura, nuk është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, por lufta kundër çdokujt që rrezikon apo kundërshton regjimin e Edi Ramës.

Krimi shtetëror i rrëmbimit dhe burgosjes së paligjshme të qytetarëve të pafajshëm kuksianë, duhet të ndëshkohet.

Kjo është thirrje për një reagim popullor kundër padrejtësisë ndaj kuksianëve kurajozë që mbahen si kriminelë në burg, ndërkohë që kriminelët e vërtetë janë të lirë.

Ne jemi me kuksianët. Ne jemi me popullin. Ky regjim kriminal duhet të ndalet dhe së bashku duhet të rivendosim demokracinë, drejtësinë dhe dinjitetin e njerëzve të thjeshtë”.