Bayern dërgon emisarë për Hysajn në ndeshjen Juve-Napoli

Që Bayern Munchen po ndjek më vëmendje mbrojtësin Elseid Hysaj, kjo tashmë është bërë e njohur prej kohësh, por shumë shpejt bavarezët, të ndikuar ndoshta edhe nga sirenat angleze, do ta ndjekin në aksion futbollistin e Kombëtares shqiptare.

Disa emisarë të Bayern Munchen do të jenë në “Allianz Stadium” për të ndjekur ndeshjes me Juventusit dhe Napolit, dy skuadrave që luftojnë për titullin kampion në Serie A. Ndeshja luhet të dielën e ardhshme.

Ata do të ndjekin Elseid Hysajn, mbrojtësin e krahut të djathtë të Napolit. Klauzola në kontratën e futbollistit shqiptar me Napolin është 50 milionë euro, shifër e përballueshme nga bavarezët. Lajmin e bën të ditur “Tuttomercatoweb” në Itali.

Drejtuesit e Bajernit janë në kërkim të zëvendësuesit të Rafinha, i cili duket se do ta lërë këtë ekip pas shumë vitesh. Dhe i përzgjedhuri është Hysaj, që do të vëzhgohet nga afër në ndeshjen ndaj Juventusit.

Për lojtarin e Kombëtares kuqezi është interesuar në janar edhe Arsenali, por në këtë moment Bayern po lëviz konkretisht dhe, nëse Hysaj bind me paraqitjen e tij ndaj Juves, marrëveshja me klubin e madh gjerman do të jetë edhe më pranë.