Fakte të reja për krimet komuniste në Kampin e Tepelenës

Mos e humbisni këtë shkrim për një nga temat e aktualitetit që është risjellë në vëmendje të publikut dhe po shkakton debat, duke e ndarë opinionin publik në dy kampe. Dëshmi dhe fakte historike të patjetërsueshme hedhin dritë mbi Kampin e internimit të Tepelenës.

Këto ditë u zhvillua një debat ne media për Kampin e internimit të Tepelenës. Historiani Pëllumb Xhufi tjetërson të vërtetën historike dhe lëndon sërish të gjithë të përndjekurit politikë të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë ish-të internuarit në kampin e Tepelenës, të vdekurit atje dhe ata që janë ende gjallë, por provokon e lëndon edhe gjithë shoqërinë e shëndoshë shqiptare. Kampi i Tepelenës ishte një kamp përqëndrimi i tipit Stalinist, i ngjashëm me ata të nazizmit.

Përgjegjës i kampit ishte Xhaferr Pogace, deri në vitin 1952. Përvec privimit të lirisë, u ushtrua një dhunë e tmerrshme morale, fizike, psikogjike, por edhe forma te tjera te torturës si mungesa e ushqimit, epidemitë e pa mjekuara, çnderimi i vajzave dhe grave të internuara. Nga shkaku i dhunes dhe kushteve të tmerrshme, ne ate kamp famëkeq, vdiqën me qindra gra e nena , si edhe mese 300 femije te pafajshem.

Në një dokument të Ministrise se Brendshme për kampin e Tepelenës, thuhet:

“Në kampin e internimit të Tepelenës kemi një sasi njerëzish që janë pothuaj krejt të zhveshur pse janë nga
veriu dhe se kanë një kohë të gjatë që rrinë në kampe, u duken mishrat” shkruhet në raportin e datës 30 korrik 1951 të degës së kampeve dhe burgjeve.(Arkivi i MPB, F.50,v.1951,D.420).

Po të lexosh raportet e tjera të CIA-s por edhe dokumentet e tjerë të arkivave shqiptare e të huaja, rezulton se në kampin e Tepelenës janë përdorur metoda barbare dhe tortura çnjerëzore.

Në një dokument të rezervuar nga CIA, të vitit 1951, veç të tjerash thuhet:

“Janë 3600 të internuar në kampin e Tepelenës, të cilën janë vendosur aty në vitin 1949, kampi më i vjetër dhe më i madh në Shqipëri, ndërsa në kampin Beden në Kavajë janë 2000 të internuar. 70% e të internuarve në Tepelenë janë gra dhe fëmijë. Vdekshmëria më e lartë është tek fëmijët. Fëmijët që vdiqën në 1949 ishin binjakët e Lulje Xherxhe (Lulje Nuo Djerje) nga Kopliku, jo më shumë se 1 vjeçarë, fëmija i vogël i Zef Mirasa nga Bajza, djali 1 vjeçar i Fran Hasa nga Bajza, dy fëmijë të Prenash Xherxhe nga Ljohe, dhe tre fëmijë të Xhuste Goraj, 10 vjeç, 6 vjeç dhe 6 muajsh. Komandanti i kampit është Xhafer Pogaçi. Ai është një fshatar injorant dhe tiran që ka përdhunuar gra dhe vajza, të cilat kanë refuzuar të kenë lidhje intime me të.

Ai dëshiron të shohë fëmijë teksa vdesin. Të internuarit në kampin e Tepelenës flenë në shtretër druri katër katësh. Familjarët nuk janë të ndarë. Ndërtesa nuk ka papafingo, nuk ka çati, janë në qiell të hapur. Kampi u siguron një krevat druri dhe një sasi sapuni mujor. Ushqimi i përditshëm është çaj për mëngjes, supë dhe 650 gram bukë për drekën dhe darkën. Nuk ka asnjë mobilie për të vendosur ushqimet apo veshjet. Asgjë plotësuese as për fëmijët.

Është e vështirë të ruash pastërtinë në këtë kamp. Atyre nuk u jepen fshesa, por detyrohen të fshijnë me degë pemësh. Vendi është plot më parazitë. Një pjesë e madhe e të internuarve janë të sëmurë, si pasojë e kequshqyerjes, papastërtisë dhe parazitëve, turberkulozi është përhapur shumë. Shumë vdesin, kryesisht fëmijë dhe burra. Fëmijët vdesin për shkak të sëmundjeve, ndërsa burrat nga lodhja e punës si skllevër”.

Për kampin e perqendrimit në Tepelenë ka dokumente, por ka edhe dëshmi tronditëse te qindra te internuarve qe jane ende gjallë dhe që janë botuar nga Instituti i Studimeve te Krimeve te Komunizmit.

Por dokumenti më i rëndesishem është Raporti i Qeverisë Amerikane, paraqitur në OKB në shkurt 1955, ku ndër të tjera thuhej për kampin e Tepelenës:

“Gjon Pjetri, një djalë 12 vjeç nga Oroshi i Mirditës, i cili kaloi në Jugosllavi më 13 gusht 1951, është një prej banorëve të kampit të përqëndrimit në Tepelenë, i cili ka dhënë një dëshmi grafike mbi jetën në kamp, ku ai qe internuar me gjithë familjen e tij. Pak javë para se të ikte në Jugosllavi , policia e kishte lëshuar nga kampi së bashku më vëllanë e tij 8-vjeçar, pasi ishin shumë të rinj, por prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes u mbajtën.

Djali i ri tha se ai e dinte se mund të humbiste jetën në orvatje, por ai vendosi të ikte pasi nuk kishte se kush të kujdesej për të, nuk mund të gjente ndonjë punë. Megjithëse fëmijë, ai i provoi në kamp të gjitha vështirësitë e një të rrituri. Ai tha se në kamp kish një mijë njerëz, shumica pleq, gra dhe fëmijë, gjithashtu merrnin si ushqim “një copë të vogël bukë misri dhe një lloj supe në të cilën rastësisht gjeje ndonjë fasule”. Ai tha se shumë njerëz flinin mbi çimento, mbi policët nuk i lejonin të merrnin batanije kur arrestoheshin. Uria, papastërtia dhe keqpërdorimi në kamp shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve , njoftoi fëmija.

Ai mbante mend me hollësi një dhomë të errët dhe të ngushtë që mbante disa qindra fëmijë dhe të rritur, të cilët ishin të prekur nga turbekulozi, sëmundjet e lëkurës dhe sëmundje të tjera. Djali tha se policia i torturonte shumë nga bashkëjetuesit që ishin të pazotë për punë dhe se njerëzit e sëmurë nuk vinin të vizitoheshin te doktori i kampit, mbasi si zakonisht ai u thoshte se nuk kish shpresa përmirësimi. Edhe të sëmurëve u duhej të shpinin dru në kamp dhe kjo qe një punë e lodhshme edhe për të rriturit e shëndoshë, se pylli ishte 12 km larg kampit. Asnjë nuk guxonte të mos vinte në punë – tha fëmija; të afërmve e prindërve të tij nuk u lejuan të mungojnë një ditë nga puna për tu kujdesur për të bijën e tyre të sëmurë dhe vajza e vogël vdiq pa nënën e vet , që nuk mund të bënte diçka për atë.

Një nga deklarimet e shumta të dhëna nga ish-banorët e kampit të përqëndrimit të Tepelenës, është dhënë nga Mustafa Hoxha, një klerik mysliman, i cili qe internuar në këtë kamp më 1949 dhe që iku në Jugosllavi në fillim të vitit 1953. Në fillim Hoxha u internua në kampin e Turanit në Tepelenë, ku kishte 2.800 burra, gra dhe fëmijë. Jeta e kampit ishte e padurueshme, banorët merrnin nga 550 gramë bukë misri të papjekur mirë dhe asgjë tjetër. Ata hanin bar dhe kafshë të ngordhura. Kjo solli si rezultat përhapjen e një epidemie në kampe 7-8 vdekje të përditshme, shumica fëmijë.

Një nënë nga Elbasani tha Hoxha, humbi 5 nga 6 fëmijët e vet brenda 6 muajve. Kur u çua kampi në Tepelenë gjendja u bë më e keqe. Hoxha mori pjesë në funeralin e 318 myslimanëve dhe gjatë 20 muajve të internimit të tij në kamp, vdiqën 1.200. nëpunësit e kampit një ditë vendosën të heqin varrezat nga një fushë afër kampit për tek ura e Bençës. Sipas kësaj banorët, burra e gra u detyruan të gërmojnë varret e atyre që sapo ishin varrosur dhe t’i rivarrosnin në vendin e ri.

Ky veprim i dha shkas hapjes së një epidemie të re dhe shkalla e vdekjes në kamp u rrit. Kushtet e punës në kamp ishin tmerruese, njofton Hoxha. Shumë banorë pavarësisht nga kushtet ndërmjet tyre, duhet të mbanin në kurriz gjysëm metër kub dru nga një pyll 5-6 kilometra larg nga kampi. Të tjerët po nga ajo distancë mbanin material për 70 shtylla për tek ura e Bençës. Nëpunësit e kampit ishin të pamëshirshëm në detyrimin e banorëve, të përballonin punën prej skllavi. Dënimi kundër të pabindurve ishte i egër.

Dënimi më i zakonshëm ishte lidhje e individit me tel të fortë, derisa ti takonte kockat dhe pastaj mbyllej në një qeli për një kohë të pacaktuar. Praktikisht nuk kishte parashikime për kujdesin mjekësor në kamp, një doktor vizitonte kampin vetëm me intervale të largëta dhe banorët nuk guxonin të kërkonin kujdes mjekësor, nga frika e reprezaljeve. Ata që dërgoheshin në spitalin e Gjirokastrës kurrë nuk ktheheshin, zhdukeshin, një dëshmi tjetër mbi kushtet në kampin e Tepelenës qe dhënë nga Gjyste Ndoci, një grua e re shqiptare që u arratis në Jugosllavi, në fund të 1952-it.

Sipas saj, ajo së bashku me fëmijët, Zefi 9 vjeç, Deda 6 dhe Lulja 5 vjeç, ishin arrestuar pas dezertimit nga ushtria të burrit të saj. Në kundërshtim me faktin se ajo ishte shtatzënë, policia e trajtoi brutalisht në zyrën e Sigurimit të Koplikut. Më vonë ajo dhe fëmijët e saj u çuan në kampit e përqëndrimit në Tepelenë. Atje, ajo dhe fëmijët e saj, u mbyllën në një barakë të madhe dhe të pisët, ku shumë banorë vuanin nga sëmundje të ndryshme. Ajo qe e detyruar të punonte pa marrë parasysh kushtet e saj fizike.

Pas tre muajsh lindi një djalë në barakë, fëmijë i cili vdiq pas 6 muajsh për shkak të pakujdeshmërisë dhe sëmundjeve. 3 ditë pas vdekjes së fëmijës, ajo dhe fëmijët e saj, u urdhëruan të shkojnë në këmbë në një kamp tjetër në Gjirokastër. Rrugës djali i saj Dedë vdiq dhe vetë asaj i duhej të hapte varrin në anë të rrugës , ndërsa policët që e shoqëronin, e çnderuan.

4 ditë pas arritjes së saj në kampin e ri, djali më i madh Zefi vdiq gjithashtu nga sëmundja Abedin Zeqiri që ishte një banues i kampit të përqëndrimit, para se të arratise në Jugosllavi më 1952, njoftonte se Xhafer Pogaçe, drejtor i këtij kampi, kapte me zor çdo ditë një nga femrat e bukura që banonin aty. Policët që shërbenin në kamp kanë përdorur keq çdo vajzë të bukur në kamp.

Regjimi i sotëm shqiptar, krijoi sistemin e kampeve të përqëndrimit menjëherë sa mori pushtetin në fund të 1944-s. Qëllimi fillestar i kampeve ishte të internonte familjet e numrit të madh të të burgosurve politikë dhe të pritnin familjet e shpërngulura të ish klasave ulëta për të zënë shtëpitë e tyre dhe të vendosë në to, anëtarët e regjimit të ri dhe shokët e tyre komunistë. Më vonë, kur filloi qëndresa kundër regjimit komunist, filluan të iknin jashtë shtetit. Këto kampe u zgjeruan edhe më shumë për të përfshirë të gjithë elementët të cilësuar të rrezikshëm për regjimin, fshatarët e pabindur, familjet ose farefisin e atyre që kishin arritur të iknin jashtë vendit.

Kështu, duke filluar pas prishjes me Titon, të Byrosë Informative më 1948, qeveria e Tiranës filloi heqjen e një numri të madh njerëzish, duke marrë persona nga një pjesë e vendit dhe duke i vendosur ata në kampe përqëndrimi të tjera. Si rregull, njerëzit nga veriu dërgohen në kampe në jug, sidomos në Tepelenë, Himarë (Porto Palermo), Fier, Berat etj. Ndërsa njerëzit e jugut internohen në Krujë, Burrel, Kamëz, Valias, Cërrik dhe vende të tjera në veri. Aty nga 15 shtatori 1947, ish kryeministri Enver Hoxha pranoi qenien e kampeve të përqëndrimit. Në një fjalim të madh të mbajtur në Shkodër ai deklaroi se elementët kundërshtarë ishin të internuar nëkampe të tilla.

Nga fundi i 1949-s pas vrasjes së Bardhok Bibës, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, ndërmori një varg të madh internimesh. Në një ekspeditë ndëshkimore, në këtë krahinë ai hoqi rreth 400 veta nga krahina për në kampet e jugut”

(AQSh,Fondi 14, Dosja 176 Strukturë, viti 1955).