“Ferma e Kafshëve”, libri më i denjë i politikës shqiptare

Ishte viti 1944 kur George Owrell botoi, për të parën herë, pas sa e sa përpjekjeve të dështuara për sukses, librin “Ferma e Kafshëve”, i mirëpritur nga lexuesi anglez dhe ai anë e mbanë botës. Mënyra se si kafshët kryenin një revolucion për të marrë vetë në dorë pushtetin është ndoshta mënyra më e saktë për të treguar dëshirën e gjithkujt për vetëqeverisje.

Si studiues i letërsisë dhe (pak) kurajoz që jam, marr guximin të heq ca paralele mes ngjarjeve e personazheve të “Fermës së Kafshëve” me popullin shqiptar, të shumëvuajtur politikisht. Kështu, revoluconi filloi me synim të qartë: të largohej zgjedha njerëzore e cila përdorte kamxhik dhe kapistër!

A nuk ishte ky ideali i rilindasve: Largimi i zgjedhës turke e cila përdorte lak për të mbajtur shqiptarët e për të përfituar prej tyre?!

Me përfundimin e revolucionit, dy derrat “më të zgjuar” u vendosën në krye të Fermës: Snoubëlli dhe Napoloni. Ato qeverisën duke kundërshtuar gjithnjë njëri – tjetrin.

Po të filloj të bëj paralelen e dy derrave me politikën shqiptare, nuk e di kur mbaroj, pasi ka aq shumë që i kanë përfaqësuar dhe i përfaqësojnë edhe sot denjësisht këto dy figura – koncepte, sa druaj se po të zgjedh dy, do iu ngelë hatri dyzet të tjerëve.

Pasi, fshehtazi, rriti disa qenë të cilët i egërsoi aq sa mundi, Napoloni, me dhunë, largoi Snoubëllin dhe mori çdo pushtet në dorë. Snoubëlli u etiketua “tradhtar” dhe çdo punë që shkonte keq në Fermë vinte falë sabotimit që ai kryente në fshehtësi dhe plot dashakeqësi.

Ndërkohë, me një optimizëm të admirueshëm, delet brohorisnin gjithçka dëgjonin dhe sa herë që ndokush provonte të thoshte se “Udhëheqësi Napolon” po gabonte, ato brohorisnin me zë edhe më të lartë.

Të gjitha idealet e barazisë ku çdo kafshë do të punonte për vete e ku asnjë njeri nuk do të ndërhynte në të mirat që ato sillnin, u shndërruan në një miqësi mes liderëve që jetonin në pallat njerëzor, flinin në shtretër dhe hanin në pjata me armiqtë e tyre fillestarë, njerëzit.

Ndërsa kafshët, të shtrira në stalla e në bar të thatë, dëgjonin me veshët e hapur plot maraz pasi s’mund t’i mbyllnin, arritjet e mëdha. Me bark bosh, dëgjonin 500 fishimin e jonxhës. Me krahë të dobësuar, dëgjonin 300 fishimin e lehtësive në punë. Me sy të mbyllur, dëgjonin borinë e zgjimit pas vetëm tri orëve gjumë.

Derrat ngatërrohen me njerëzit e njerëzit me derrat, aq sa as sot nuk u muar vesh e kujt është qeverisja: E njerëzve apo derrave!