Gjeneral Rrahman Parllaku, fitimtari i tri kohëve

Rrahman Parllaku, gjenerali që luftoi fashizmin dhe sfidoi komunizmin, Hero i Popullit dhe një prej figurave më qendrore dhe emblematike të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, sot mbush 99-vjeç.

Ai nuk është lënë në harresë, por ka marrë vemendjen edhe nga klasa politike. Personazhi që e ka kujtuar me anë të një statusi në rrjetet sociale, është deputeti i LSI-së, Luan Rama, ndërsa e cilëson si fitimtarin e tri kohëve, ndërsa komunikon me tre breza.

 

Rrahman Latif Parllaku, u lind më 17 prill të vitit 1919, në fshatin Novosej të Lumës, rrethi i Kukësit. Ka qenë luftëtar në Brigadën e III-të Sulmuese. Ka kryer detyra të rëndësishme në ushtri, ndërsa ka qenë dhe anëtar i Komitetit Qendror. Në vitin 1974 arrestohet si anëtar i grupit puçisht në ushtri, të kryesuar nga Beqir Balluku.

Gjykohet e dënohet së bashku me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon. Për ‘Veprimtari armiqësore” në kuadër të këtij grupi, u dënua me 25 vite burg.

“Heroi i Popullit” Rrahman Parllaku është dënuar dhe burgosur nga diktatura komuniste për pjesëmarrje në të ashtëquajturin “puç ushtarak”, nën akuzën e “krimit dhe tradhtisë ndaj atdheut, sabotimit dhe agjitacionit dhe propagandës me rrezikshmëri të lartë”.

Në bazë të këtyre akuzave, u dënua me 25 vjet heqje lirie, si pjesëtar i të ashtëquajturit “grup i Beqir Ballukut”.

Dekoratat

Për merita të veçanta i është dhënë titulli “Hero i Popullit” dhe është dekoruar me 9 urdhra e 3 medalje të luftës dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak. Parllaku, ka qenë zgjedhur deputet i Kukësit në Kuvendin Popullor për 7 legjislatura rresht, që nga viti 1945 deri në vitin 1973.

Gjeneral Parllaku ka qenë kandidat i KQ të PKSH që nga tetori i vitit 1944, deri në Kongresin e Parë. Në kongresin e Katërt rizgjidhet përsëri kandidat i KQ të PPSH dhe në Kongreset e Pestë e të Gjashtë, anëtar i këtij Komiteti.

Parllaku u arrestua dhe dënua për pjesëmarrje në të ashtëquajturin “puç ushtarak”, nën akuzën e “krimit dhe tradhtisë ndaj atdheut, sabotimit dhe agjitacionit dhe propagandës me rrezikshmëri të lartë”.

Në bazë të këtyre akuzave u dënua me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat 16 vjet e tri muaj i vuajti në burg (nga dhjetori i vitit 1974, deri më 17 mars të vitit 1991), si pjesëtar i të ashtëquajturit “grup i Beqir Ballukut”.

Duke pasur akuzën e rëndë të “tradhtisë ndaj atdheut”, të ashtëquajturit pjesëtarë të këtij grupi: Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, nuk amnistoheshin nga ligjet në fuqi.

Në rekursin e bërë nga Parllaku, Gjykata e Kasacionit vendosi më 20 korrik të vitit 1994, prishjen e vendimit të 5 nëntorit të vitit 1975 të Gjykatës Ushtarake, që i cilësoi fajtorë ushtarakët e lartë, dhe pushimin e akuzave të mësipërme.

Ai është kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës të Popullit Shqiptar. Me rastin e 95-vjetorit të ditëlindjes, u dekorua nga ish-Presidenti Nishani, me urdhrin “Nderi i Kombit”.