Ja rekordet që Mohamed Salah mund të thyejë këtë sezon

Mohamed Salah po shkëlqen me fanellën e Liverpoolit. Egjiptiani është shndërruar në një lojtar shumë të rëndësishëm që në sezonin e parë në “Anfield”, duke thyer rekorde të shumta.

Salah ka thyer dhe është rrugës për të thyer edhe disa rekorde. Me golin që realizoi gjatë ditës së shtunë, Salah shkoi në kuotën e 30 finalizimeve në Premier League.

Fillimisht synon të barazojë rekordin historik që mbajnë Cristiano Ronaldo, Alan Shearer dhe Luis Suarez me nga 31 gola në Premier League gjatë një sezoni dhe më pas, pse jo, edhe ta thyejë atë.

Rekordi tjetër që Salah synon është ai CR7. Që kur Cristiano Ronaldo u largua nga Manchester United, në vitin 2009, asnjë lojtar nuk ia ka dalë që të shënojë 42 gola në një sezon, siç kishte bërë portugezi në sezonin 2007-08. Egjiptiani tashmë numëron 40 gola.

Gjithashtu, Salah do të tentojë të thyejë një tjetër rekord këtë edicion, atë për më së shumti gola në një sezon me fanellën e Liverpoolit, rekord ky që mbahet nga legjenda Ian Rush me 47 gola, të arritur në sezonin 1983-84.

Salah është favorit për ta fituar “Këpucën e Artë” në Angli, ndërsa po lufton me Lionel Messin edhe për atë të Evropës. Ky është një sezon për t’u mbajtur mend nga egjiptiani që do të tentojë ta kurorëzojë me trofeun e Champions League.