Kosova është me SHBA-në, flet Haradinaj: Jemi pro sulmeve në Siri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova i qëndron në krah intervenimit të aleatëve për ta ndalur regjimin e Assadit në Siri.

“Kosova i qëndron në krah intervenimit të aleatëve euroatlantik për ta ndalur regjimin e Asadit në Siri”, ka shkruar Haradinaj pas sulmeve ajrore që u kryen nga koalicioni SHBA-Britania e Madhe-Franca në Siri.

“Sulmet me armë kimike ndaj civilëve të pafajshëm janë të pafalshme dhe përpjekja e vendeve demokratike për të vendosur paqe në këtë vend është veprim tejet i nevojshëm”, ka shkruar Haradinaj.

Pas sulmeve ajrore që ndodhën në Siri nga koalicioni i udhëhequr i SHBA’së, i mbështetur nga Britania e Madhe dhe Franca, shumë shtete kanë dalë në mbështetje të treshes për këto sulme.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli përmes një deklarate në rrjetin social “Twitter” ka thënë se Kosova e mbështetë sulmin e SHBA-së, Francës dhe Britanisë kundër ambienteve dhe aftësive të armëve kimike të regjimit sirian.

“Përdorimi i armëve kimike është i papranueshëm. Ata që janë përgjegjës duhet të mbahen përgjegjës”, ka shkruar Pacolli.

SHBA, Britania e Madhe dhe Franca kanë nisur sulmin e tyre në Siri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Ky sulm ishte paralajmëruar nga blloku perëndimor dhe ndodhi pas sulmit të dyshuar kimik në Siri.