Kur Llalla nuk kupton shqipen dhe Lu-në

Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla është ekspozuar publikisht së fundmi përmes një letre drejtuar mediave, në të cilën, duke u mbrojtur, sulmon ambasadorin amerikan Donald Lu. Në këtë letër të dytë kundër ambasadorit, pas asaj drejtuar Kongresit amerikan, ish-Kryeprokurori del nga fusha e jurisprudencës dhe zgjedh të reagojë mediatikisht kundër deklaratave që ka bërë diplomati amerikan në Tiranë në adresë të tij. Ai konteston veprimtarinë e ambasadorit Lu në ideimin, miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, etiketimet negative nominale që diplomati amerikan i bën Adriatik Llallës si një zyrtar i korruptuar, etj., etj. Kjo sipas ish-kryeprokurorit përfaqëson një shkelje të hapur të ligjeve shqiptare, sepse ai vesh petkun e gjykatësit dhe hetuesit në një vend te huaj.

Gabimi i parë që bën ish-kryeprokurori është pikërisht zgjedhja e mjeteve politike për të reaguar ndaj ambasadorit Lu. Edhe pse çdo diplomat ka imunitetin e tij nga përndjekja penale, sërish kjo nuk e përjashton z. Llalla nga mundësia për të zgjedhur instrumente të tjera jopolitike, por të një karakteri ligjor në këtë kundërvënie publike që po i bën ambasadorit të një vendi partner sikurse Shtetet e Bashkuara. Mund të artikulohej juridikisht, mund të inicionte diçka në Departament të Shtetit, etj., mirëpo jo. Ka zgjedhur mjete politike, mjete mediatike, që don të thotë se don të ndikojë audiencë shqiptare, institucione shqiptare dhe jo atë ndërkombëtare, ose amerikane.

Gabimi i dytë i z. Llalla  është tek ideja që ai ka krijuar në kohë dhe mësa duket i është konsoliduar fort rreth reformës në drejtësi. Zoti Llalla nuk e ka kuptuar ose nuk don ta kuptojë, ose bën sikur nuk e kupton se me verifikimin e anëtarëve të sistemit të drejtësisë kanë një peshë relevante të huajt. Është pikërisht faktori ndërkombëtar ai që po ndihmon në procesin e vetting-ut me të dhëna përmes agjencive ligjzbatuese, një term eufemik për shërbimet inteligjente. Këto të dhëna janë fillesa për të kontestuar vërtetësinë e deklarimit të pasurisë të gjyqtarëve, prokurorëve, madje dhe në ekipin shqyrtues të deklarimeve ka të huaj. Pra, të huajt e kanë çarë tashmë cipën e hollë të sovranitetit që mund të ketë një shtet i vogël si Shqipëria. Tashmë, koncepti i sovranitetit në drejtësinë shqiptare nuk ekziston si më parë. Në këtë kontekst kur ambassadori Lu flet për fakte implikuese ndaj z.Llalla apo çdokujt tjetër është thjesht duke përdorur të dhënat që ka nga shërbimet inteligjente amerikane. Kjo e bën edhe më të gabuar kundërvënien e Adriatik Llallës ndaj ambasadorit amerikan.

Gabimi i tretë është se z. Llalla nuk do të kuptojë se ky angazhim i ambasadorit Lu është bash në frymën e zbatimit të reformës në drejtësi edhe sikur të motivohet personalisht. Lu nuk është duke dekonspiruar hetime që po zhvillohen në Shqipëri, paçka se mund të ketë akses tek to, por formalisht është duke kumtuar të dhëna që ekzistojnë nga agjencitë ligjzbatuese të një shteti tjetër. Të dhëna të cilat tashmë në emrin e procesit të vetting-ut kanë kanale legjitime për të depërtuar në këtë sistem verifikimi.

E vërteta është se dalja e shpeshtë z. Llalla kundër Lu-së (Lu në fakt merret dhe me emra të tjerë), e bën që kjo dalje të mbajë era personalizim, por prej Llallës ama. Llalëa deri tani, si kryeprokuror, për shkak të rolit të tij institucional dhe prej natyrës së rezervuar, kishte dalë shumë rrallë. Dalja e shpeshtë tregon se ish-kryeprokurori po tejkalon stilin e vet. Pse? Ai është duke menduar se nëse nuk do mbrohej publikisht, do dukej i dobët. Ai sot është shpallur subjekt hetimi nga ish-vartësit e tij, që i kanë nxjerrë probleme me deklarimin e pasurisë së tij, apo eventualisht pastrimin e parave si përflitet. Ndaj dhe z. Llalla po përpiqet të dalë përpara opinionit publik si viktimë personale e ambasadorit Lu.

Por a është vërtet Llalla viktimë e Lu-së? Dhe a përfiton nga viktimizimi?

Këto deklarime e vendosin ish-kryeprokurorin në pozita politike jo shumë të shëndetshme, pasi të artikulosh në publik se një ambasador i një shteti të strukturuar institucionalisht, si SHBA-ja, bën politika personale sulmi ndaj dikujt, kërkon guxim të madh. Në këtë linjë edhe letra e drejtuar Kongresit Amerikan, si një përpjekje për të rezonuar tek ajo pjesë e senatit, kryesisht republikanë, që kishte ndjeshmëri të lartë antisorosiane, nënkuptonte guxim të tipit politik.  Ai mund të ankohej në Departament të Shtetit dhe jo në Kongres, ankesë që maksimumi i ka shërbyer lobistëve të PD-së që zgjodhën si kalë beteje antisoroizmin.

Adriatik Llalla si qytetar mund të jetë viktimë e ambasadorit amerikan, por jo thjesht dhe vetëm i tij. Por tashmë dhe i shtetit amerikan, që e ka futur në një listë të zezë, (madje dhe BE-ja) që nuk i jep vizë atij dhe familjes, apo që i heton pasurinë. Dhe shteti amerikan bezdiset nëse i sulmohet ambasadori, veçanërisht nëse sulmohet me mjete politike, qoftë në media, qoftë dhe duke i shkruar Kongresit. Kësisoj zoti Llalla nuk fiton asgjë. Mund të fitojë pak opozita, por ajo nuk ia kthen dot borxhin, duke e mbështetur sërish, sepse do të ekspozohej keq. Për opozitën Llalla ishte i rëndësishëm si prokuror, por jo si ish-prokuror.

Ndonëse zgjedhja e mjeteve politike nuk është mirëfilli e qortueshme, argumentet e tij publike kundër Lu-së, nuk çojnë ujë në mullirin e vetë Llallës. Ato as nuk frenojnë hetimet e nisura ndaj tij dhe as nuk rrisin ndjeshmërinë publike apo skepticizmin ndaj qëndrimeve të ambasadorit amerikan.

Po pretendimi se Lu i ka kërkuar që të arrestojë Presidentin Meta? Argumentet që rifuqizohen në këtë letër të dytë publike të z. Llalla, si dhe ky pretendim (apo se ambasadori i ka kërkuar të ndalojë hetimet për drejtuesin e një kompanie amerikane), nuk mund të prekin askënd tanimë, nëse nuk kanë rezonuar tek Kongresi, apo Departamenti i Shtetit. Për më shumë ky pretendim ngjan jorealist. Nëse Lu do të kërkonte diçka të tillë, duke ditur lidhjet institucionale që Adriatik Llalla kishte me presidentin, kjo do të reflektonte paaftësinë e ambasadorit amerikan për të kuptuar se ku do përfundonin fjalët e tij. As dhe kërkesa për Bankers. Është pjesë e rutinës së punës së një ambasadori që të kujdeset për interesat e sipërmarrësve të vendit të tij, që ushtrojnë veprimtari në një shtet të huaj, ndaj përfolja në këto terma duhet të ketë xhindosur jo vetëm Lu-në, por dhe vetë SHBA-në.

Dalja e z. Llalla, pikërisht tani, në prag të shprehjes së opinionit të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave, apo artikulimit zëshëm edhe prej Lu-së, të nevojës së kapjes së peshqve të mëdhenj si operacion imazhi, ngjan pra si betejë  me argumente politike. Llalla do të ishte fare mirë mjaft më efikas, mjaft më bindës nëse do të zgjidhte t’i referohej ligjit dhe Kushtetutës. Apo dhe konventave ndërkombëtare që rregullojnë veprimtarinë e diplomatëve, e që me gjasë mund të ketë shkelur ambasadori Lu duke iu kundërvënë atij. Kjo po që do të ishte zgjidhja më e drejtë. E në këto rrethana, dalja e tij ngjan si një zgjidhje e dëshpëruar e z. Llalla, i cili, vetë apo me ndihmën e dikujt, vendosi të reagojë politikisht kundër një diplomati. Le të shikojmë se sa dhe si ky veprim i gabuar do të shërbejë apo nuk do të ngrejë peshë në përcaktimin e fatit të Adriatik Llallës.