Libri që ndryshoi historinë

Më 22 mars mbushen 110 vjet nga mesha e parë ortodokse shqipe e 26-vjeçarit të dhuntishëm At Fan S. Noli, gjë që shënoi fillesat e një Kishe Ortodokse Shqiptare në histori, dy javë mbas shugurimit të tij prift. Por është një fakt tjetër që vlen të përkujtohet më tepër sot: Dëshmia e shfaqjes së një apostulli të Krishtit në botën shqiptare, nëpërmjet botimit të librit të parë liturgjik në shqipe, “Shërbes’ e Javës së Madhe”! Ishte pikërisht ky libër që shënjoi e ndryshoi historinë tonë.

Atë Foti Cici shkruan se viti 1908 ishte viti i mbizotërimit të një alfabeti të përbashkët në të shkruarit shqip, por kjo ndodhi në muajin nëntor, mbas botimit të këtij libri, i cili shkruhet me një nga alfabetet e asaj kohe. Noli do ta pranojë alfabetin dalë nga Kongresi i Manastirit për botimet e vitit 1909 e në vijim, përveç shkronjës “ë”, të cilën do ta shkruante gjer në fund të jetës me “ε”.

Po riprodhoj të tejshkruar në alfabetin e sotëm “Pasthënien”, f. 104, faqja e fundit e librit:

PASTHËNJE

Sot po u fal Shqipëtarëve të parën librë të Kishës. Ndë këtë librë nukë munda të përmbleth tërë shërbesat e Javës së Madhe, nga që s’na mbetej kohë, se libra duhej mbaruar para Pashkëve. Janë shtypur pra vetëm shërbesat e mbrëmëshme, veç Tropareve të Kanuneve, nga të cilat janë kthyer vetëm Katabasitë.

Kthimi u bë me nxitim, dhe përandaj s’duhet gjukuar ashpër. Më tutje do të ndreqet e do të shtypet plotërisht pa lënë asnjë tropar jashtë. Ata që janë zënë me të kthyerit prej Greqishtes së Kishës në Shqipen, ata vetëm do kupëtojnë sa mundime dhe sa net pa gjumë më kushtoj kjo librë. Tërë të tjerat janë të tepëra. Nuk muntmë të shpëtonim nga lajthimet e shtypit, nga që ndodhesha nër fshatrat rrotull më të shumën e kohës.

Ungjijtë dhe Psalmet janë marrë prej të Kristoforidhit me shumë pak ndryshime.

Shpresoj se Shqipëtarët do t’i ndihin Kishës, dyke blerë nga kjo librë, që të mundim të shtypim dhe të tierat. E para librë që do shtypet paskëtaj është libr’ e Meshës.

Boston, 12)25 Prill, 1908

Këthenjësi,

Fan S. Noli

Ky libër ka ndryshime shumë të vogla nga alfabeti i sotëm:

é përdoret për e;

e për ë;

gh për nj;

x për z.

 

Vlen të kujtojmë se ky botim konsiderohej i humbur prej studiuesve të Nolit, duke përfshirë edhe komentuesit e tij kishtarë, deri kur pata fatin ta zbuloj në bibliotekën e Harvardit, me ndihmën e një mikut tim grek, i cili kryente studimet atje. Libri mund të lexohet në, ShqiptarOrtodoks.com i digjitalizuar në vitin 2004; i tëri në një PDF.